Bisedimet me Bullgarinë, nesër në Sofje do të mbahen takime mes ministrive të jashtme

Qëndrimet e përcaktuara për veçantinë maqedonase dhe identitetin kulturo-gjuhësor mbeten të pandryshuara, ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ai përsëriti se nuk do të heq dorë nga vijat e kuqe identitare në negociatat me Bullgarinë, duke shtuar se Deklarata e opozitës për Goce Dellçevin është e papranueshme.

“Është e palejueshme dhe e papranueshme, cila do parti politike të gjenerojë marketing të ulët e të lirë politik dhe patriotizëm të rremë. Për mua, për të gjithë paraardhësit dhe gjeneratat tona, nuk ka dyshim se Goce Dellçev është një nga shtyllat e luftës maqedonase, për shtet të pavarur dhe sovran”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Në anën tjetër, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se nuk do ta dorëzojë Dellçevin, as me çmimin e integrimeve evropiane.

“Nëse më pyesni sikur të isha kryeministër, dhe kur do të vendosja nëse do ta ndryshoja Kushtetutën, dhe ta ndryshoj identitetin tim për të hyrë atje ku thoni se duhet të hyjmë, në NATO dhe BE, unë do t’ju jap përgjigjen – Jo, nuk do ta kisha bërë këtë”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Derisa të dyja partitë më të mëdha shkëmbejnë akuza, nëse po negociohet identiteti, në Ministrinë e Jashtme nuk është paraqitur asnjë deputet i mazhorancës apo opozitës për të kontrolluar të ashtuquajturim “non-pejper” me Sofjen. VMRO-DPMNE nuk do ta pranojë ftesën e Bujar Osmanit.

“Nuk e pashë si mund të vinte me kaq guxim, duke ardhur këtu, të na thoshte menjëherë ‘urdhëroni, ejani’ edhe atë theksoi ‘të gjithë në zyrën time individualisht’, dhe ashtu do të na i tregojnë ato dokumente ‘non-pejper’. Jashtëzakonisht joserioze dhe joevropiane”, tha Dafina Stojanovska – deputete e VMRO-DPMNE-së.

“Sigurisht, që kur të ketë informacione konkrete do të donim që të gjithë deputetët ta dëgjojnë, dhe ne si deputetë do ta kemi atë informacion, sepse e kemi në dispozicion…”, theksoi Daniela Koleva – deputete e LSDM-së.

Sot dhe nesër në Sofje mbahen takime mes ekspertëve të të dyja ministrive të jashtme. Në tavolinë janë çështje të hapura politike, p.sh. gjuha e urrejtjes, rehabilitimi i viktimave të komunizmit, përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e vendit, mosndërhyrja në punët e brendshme dhe puna e komisionit historik./Alsat.mk


Shtuar 10.02.2022 17:50