Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u takua ditën e djeshme me të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak. Ky i fundit do të jetë në Beograd edhe ditën e sotme ku do të takohet sërish me presidentin serb.
Por pas takimit që patën ditën e djeshme, Vuçiç dha një deklaratë për mediat ku tha se ishte diskutuar mbi propozimin europian dhe formimin e Unionit të Komunave Serbe si dhe hapat e tjerë për normalizimin e marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve.
“Presidenti Vuçiç theksoi se Serbia po punon me përgjegjësi dhe është e përkushtuar për të negociuar për të arritur kompromis dhe zgjidhje të qëndrueshme për një jetë normale dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, me kufizime të përcaktuara qartë”, thuhet në deklaratë.
Por theksohet se formimi i Asociacionit është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të popullit serb. Pas takimit, Vuçiç ka bërë të ditur në profilin e tij në Instagram se biseda ka qenë e vështirë dhe kuptimplotë.
“Ne do të vazhdojmë bisedimet për Kosovën dhe Metohinë dhe të ardhmen evropiane të Serbisë sonte dhe nesër. Rroftë Serbia!”, ka shkruar Vuçiç.
Nga ana tjetër, Kurti është shprehur i gatshëm për firmosjen e një marrëveshje që do të sillte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Por presidenti serb, ka mohuar kategorikisht mundësinë për arritjen e njohjes reciproke./Albeu.com/