Pas protestave maratonë të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, kryeministri Rama premton një platformë të re komunikimi me qytetarët, por ekspertët paralajmërojnë se ky është një version i ri i një ideje të vjetër që nuk i zgjidh problemet e qeverisjes.
Rama e bëri njoftimin më 24 gusht, gjatë një takimi në Pogradec me kabinetin qeveritar dhe drejtuesit e Partisë Socialiste. Ai deklaroi se çdo kërkesë apo shqetësim i paraqitur në platformë do të ndiqej në kohë reale dhe do të merrte përgjigje.
Të lidhura
None found
“Nuk mund të jenë kërkesat dhe ankesat e njerëzve si shishet që hidhnin letrat e amaneteve nga anijet kur mbyteshin në oqean”, u shpreh kryeministri.
Megjithatë, “PasqyrAlbania” nuk shihet si një risi e mirëfilltë, por si një emër i ri për një premtim të bërë më herët.
Që prej fundit të vitit 2021, qeveria ka funksionalizuar platformën “Shqipëria që duam”, një mekanizëm shtetëror i mbështetur në ligjin për bashkëqeverisjen.
Premtimet politike dhe kuadri ligjor i asaj kohe parashikonin pikërisht komunikim të drejtpërdrejtë dhe në kohë reale mes qytetarëve dhe institucioneve.
Sipas tyre, qytetarët do të merrnin përgjigje për problemet e tyre dhe do të mund të ndikonin edhe në hartimin e politikave qeverisëse.
E pyetur se çfarë nuk funksionoi te platforma “Shqipëria që duam” dhe çfarë synon të ndryshojë nisma e re, zyra e shtypit pranë Kryeministrit tha se “PasqyrAlbania” do të jetë “një eksperiencë krejt e re”.
Sipas saj, platforma do të përfshijë edhe “Shqipëria që duam” dhe e-Albanian.
“Por njëkohësisht edhe vetë ato do të jenë në një version të ri, ku Inteligjenca Artificiale do të marrë një rol që deri sot ka munguar”, tha zyra e shtypit pranë kryeministrit.
Analistët politikë vlerësojnë se Rama i interpreton problemet e qeverisjes kryesisht si vështirësi komunikimi. Sipas tyre, mënyra e propozuar për t’i kapërcyer ato kalon përmes anashkalimit të institucioneve dhe përqendrimit të marrëdhënies qytetar–pushtet te kryeministri.
Gazetari Lutfi Dervishi e cilësoi “PasqyrAlbania” më tepër si vazhdim të një ideje ekzistuese sesa si një koncept të ri qeverisës, duke e vendosur atë në raport me platformën e mëparshme dhe ligjin për bashkëqeverisjen.
“Në thelb, më shumë duket si një version i ri i një ideje të vjetër sesa si një filozofi e re qeverisjeje”, tha Dervishi.
Ai pranoi se platforma e re mund të jetë më e përparuar në aspektin teknologjik, por paralajmëroi se “risia teknologjike nuk duhet ngatërruar me përgjegjësinë institucionale”.
“Në një administratë që funksionon normalisht, qytetari nuk duhet të ketë nevojë për një mekanizëm të posaçëm që ta detyrojë administratën të bëjë atë që duhet të bëjë,” shtoi gazetari.
Operacion PR për problemet e qeverisjes
Gjatë 13 viteve në pushtet, komunikimi publik dhe propaganda e përditshme për arritjet e qeverisë kanë qenë ndër karakteristikat kryesore të qeverisjes së Edi Ramës.
Projektet e mëdha të investimeve publike prezantoheshin në botën virtuale të qeverisë përmes pamjeve 3D, edhe përpara nisjes së punimeve në terren. Më vonë, një pjesë e tyre u lidh me afera korruptive, ku zyrtarë të lartë janë hetuar ose gjykuar për korrupsion.
Pas tre muajsh protestash të vazhdueshme qytetare, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, Rama ka folur prej javësh për riformatimin e marrëdhënies mes qeverisë dhe qytetarëve. Fillimisht ai përmendi një dokument të quajtur “Besa”, ndërsa më pas prezantoi platformën “PasqyrAlbania”.
Por mbetet e diskutueshme nëse problemet e thella të qeverisjes mund të zgjidhen vetëm përmes përmirësimit të komunikimit.
Ermal Hasimja, pedagog i Shkencave Politike, tha se kryeministri po përpiqet ta përdorë “operacionin e përmirësimit të komunikimit” për të justifikuar pasojat e qeverisjes së tij.
“Problemi është që qeverisja i shërben një pakice njerëzish, jo të gjithëve. Pakica merr frytet, shumica merr ‘komunikim’,” theksoi Hasimja.
Edhe Eduart Gjokutaj, drejtues i organizatës ALTAX, e cila fokusohet te transparenca dhe politikat e qëndrueshme të zhvillimit, argumenton se një kanal më i mirë komunikimi nuk mjafton për të kapërcyer krizën e besimit.
“Ajo lidhet me mbajtjen e premtimeve, transparencën e vendimmarrjes, respektimin e institucioneve, kontrollin mbi pushtetin dhe llogaridhënien për rezultatet. Nëse qytetari dëgjohet, por institucionet nuk mbajnë përgjegjësi për atë që premtojnë dhe bëjnë, platforma rrezikon të kthehet në një instrument për menaxhimin e pakënaqësisë dhe jo në një reformë të qeverisjes,” tha Gjokutaj.
Sipas tij, edhe në rast se nisma “PasqyrAlbania” rezulton e suksesshme, ajo nuk përbën vetvetiu “një model të ri qeverisjeje”.
“Përndryshe, kemi një instrument të ri për një mekanizëm të njohur,” nënvizoi Gjokutaj.
Dervishi vëren se ky mekanizëm sjell edhe një paradoks: qeveria mund të marrë meritat për korrigjimin e një problemi që e ka krijuar vetë ose që nuk e ka zgjidhur përmes strukturave të saj.
“Pas 13 vitesh në pushtet, pyetja nuk është më vetëm sa mirë komunikon qeveria me qytetarin, por pse duhet ndërhyrja nga lart për të marrë një përgjigje normale nga institucionet dhe administrata,” tha ai.
Sipas gazetarit, e njëjta pyetje vlen edhe për “Pasqyrë Albania”, të cilën Rama e ka paraqitur si një mënyrë të re për t’iu drejtuar institucioneve me kërkesa apo shqetësime dhe për të ndjekur në kohë reale trajtimin e tyre, si dhe përgjegjësitë për zgjidhjen.
Rama paraqitet si “Zgjidhja”
Në aktivitetin e Pogradecit, kryeministri solli edhe një shembull konkret të mënyrës se si e koncepton komunikimin me qytetarët. Ai shfaqi një video virale nga takimi me një të moshuar në një fshat të Pogradecit.
I moshuari, i cili kishte pritur për orë të tëra për të takuar Ramën, i kërkoi atij ndërtimin e një rruge 4 kilometra në fshatin ku jetonte, pa iu drejtuar më parë institucioneve përkatëse.
Për Dervishin, ky episod pasqyron modelin e komunikimit të centralizuar që kryeministri ka ndërtuar dhe vazhdon ta forcojë.
“Ai shmang ndërmjetësit: administratën, institucionet, median, opozitën dhe shpesh edhe vetë ministrat. Dhe e paraqet veten si ‘Zgjidhja’. Në fund krijohet një raport ku qytetari me një problem nuk përballet më me ‘shtetin’, por i drejtohet qendrës së pushtetit për zgjidhje,” tha Dervishi.
Sipas tij, situata krijon një kundërthënie, pasi “centralizimi paraqitet si ilaç për mosfunksionimin e një administrate tashmë tejet të centralizuar”.
Dervishi shton se nismat e reja të komunikimit nuk trajtojnë domosdoshmërisht shkaqet e pakënaqësisë që u shfaqën në protesta. Përkundrazi, ato mund ta zhvendosin vëmendjen nga problemet e qeverisjes te lidhja e drejtpërdrejtë mes qytetarit dhe kryeministrit.
Ai e konsideron këtë si “rrezikun kryesor”, pasi “në demokraci marrëdhënia duhet të jetë qytetar–institucion, jo qytetar–kryeministër”.
Gjokutaj paralajmëron të njëjtin rrezik nëse platforma krijon idenë se problemet zgjidhen nga ndërhyrja e kryeministrit ose e drejtuesve politikë dhe jo përmes funksionimit normal të institucioneve.
“Kjo do ta forconte më tej marrëdhënien personale qytetar–pushtet, në vend të marrëdhënies qytetar–shtet,” tha ai.
“Qeverisja nuk mund të ndërtohet mbi idenë se çdo problem i qytetarit duhet të zgjidhet përmes ndërhyrjes së qeverisë qendrore. Në një shtet funksional, qytetari nuk duhet të kërkojë favor apo ndërhyrje politike për të marrë një shërbim që ligji ia garanton. Përgjegjësia duhet të jetë e institucionit dhe jo e liderit,” përfundoi Gjokutaj.
