Bilanc tragjik në Turqi, toka vazhdon të dridhet, mijëra zëra nën rrënoja luten për ndihmë

Toka vazhdon të dridhet e bashkë me të zemrat e mijëra të mbijetuarve që perballen me tmerr pas tmerri. Familje të tëra janë nën gërmadha, prindër që kërkojnë femijët, e femijët prindërit. Zëra që vijnë nga rrënojat me shpresen se sot është dita e tyre me fat.

Shumë fëmijë ia dolën të dalin të gjallë nga rrënojat, por prindërit e tyre jo. Pranë godinave të shkatërruara sheh qytetarë, gra e burra të gjunjëzuar me sytë nga qielli e shpresë në Zot se kjo dramë që ka tronditur Turqinë, Sirinë por që ka prekur gjithë botën të mbarojë.

Tronditje dramatike me intensitet të lartë vazhduan edhe mbrëmjen e djeshme. Mijëra burra pjesë e ekipeve të kerkim shpetimit kanë mbi 24 orë pa pushim që kërkojnë mrekullinë e radhës nën rrenoja.

Operacioni i kërkim shpëtimit ka vazhduar gjatë gjithë natës. Pavarësisht kushteve të këqija atmosferike shpresa për të shpëtuar qytetarët nga rrënojat nuk është shuar. Në Turqi mbi 7 mijë persona janë arritur të nxirren të gjallë nga rrënojat.

Turqia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa shkollat u mbyllën deri në 13 shkurt, ndërsa raportohet se mbi 5 mijë ndërtesa janë dëmtuar dhe shembur nga lëkundjet e forta. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka shpallur shtatë ditë zie kombetare nga sot  deri në 12 shkurt.

Flamuri turk do të ngrihet në gjysmështizë. I shkatërruar tërësisht rezulton aeroporti në Hatay, ndërsa është mbyllur për shkak të pasojave deri në një njoftim të dytë edhe aerporti i Adanasë, më i rëndësishmi në rajonin e goditur.

Tërmeti shkatërrimtar me magnitiutë 7.9 sipas shkallës Rihter goditi Turqinë Jugore dhe Sirinë.  Lëkundjet e forta të tërmetit me epiqender pranë qytetit Gaziantep u regjistruan në orët e para të mëngjesit të së hënës, kur njerëzit ishin ende në gjumë.

Pamjet nga rajonet e goditura ishin shokuese dhe tronditëse.  Rreth mesditës me orën lokale një tjetër tërmet i fuqishëm 7.5 sipas shkallës rihter u shënua në Turqinë Juglindore

Ka shkuar në mbi 4800 numri i viktimave nga tërmeti në mes kufirit të Turqisë dhe të Sirisë. Nga ana tjetër rreth 23 mijë persona kanë mbetur të plagosur.

Opozita siriane thotë se “qindra familje” janë ende të bllokuara nën rrënoja.

“Koha po mbaron për të shpëtuar qindra familje ende të bllokuara nën rrënojat e ndërtesave të shembura”, tha kreu i shërbimit të mbrojtjes civile të drejtuar nga opozita siriane.

OKB beson se në Siri, të paktën 224 ndërtesa në veriperëndim të vendit u shkatërruan dhe të paktën 325 u dëmtuan, duke përfshirë magazinat e ndihmave në enklavën që pret miliona njerëz të zhvendosur, shumica e të cilëve jetojnë tashmë në shtëpi gjysmë të shkatërruara.

Numri i viktimave nga tërmeti tragjik në kufirin mes Turisë dhe Sirisë mund të rritet në më shumë se 20 mijë, tha, menaxherja e urgjencës e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën.

“Gjithmonë ekziston mundësia për më shumë shembje, kështu që ne shpesh shohim që shifrat fillestare të tetëfishohen”, tha ai, duke shtuar se “për fat të keq, me tërmetet ndodh gjithmonë e njëjta gjë: raportet fillestare të numrit të njerëzve që kanë vdekur apo plagosur rriten ndjeshëm në javën në vijim”.


Shtuar 7.02.2023 09:59