Berlusconi “trazon” qeverinë italiane: Nuk do flisja kurrë me Zelensky-n, ky zotëri…

Pas ushtrimit të së drejtës së tij të votës, të dielën në Milano për zgjedhjet rajonale të Lombardisë, ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi iu referua edhe një herë në mënyrë kritike presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Me deklaratat e tij ai u diferencua nga qëndrimi i qeverisë Meloni, e cila është fort në anën e Ukrainës.

“Nëse do të isha kryeministër, nuk do të shkoja kurrë të flisja me Zelensky, sepse ne shohim se vendi i tij po shkatërrohet dhe se ushtarët dhe qytetarët e vendit të tij po masakrohen. Nëse ai ndalonte së sulmuari dy republikat autonome të Donbasit, kjo nuk do të ndodhte. Rrjedhimisht, unë gjykoj shumë negativisht sjelljen e këtij zotërie”, tha Berlusconi.

Partia e Berlusconit, Forza Italia, bashkëqeveris në Itali së bashku me Lega-n dhe Fratelli d’Italia, të Giorgia Melonit.

“Biden duhet të premtojë miliarda, jo armë. Në këtë mënyrë, ky zotëri do të urdhërojë një armëpushim”, shtoi ish-kryeministri.

Qendra e Majtë italiane komentoi këto deklarata duke theksuar se Berluskoni është në anën e Putinit. Deputetët e Partisë Demokratike të qendrës së majtë kërkuan të dinin pikëpamjen e kryeministres Georgia Meloni për këtë çështje.

Tashmë përpara zgjedhjeve të 25 shtatorit, kreu i Forza Italia kishte deklaruar se me sulmin e tij Putin donte vetëm të zëvendësonte qeverinë në Kiev “me njerëzit e duhur”.

Giorgia Meloni ishte përgjigjur se kushdo që vë në dyshim atlantizmin e Italisë qëndron jashtë aleancës qeveritare. Dhe sot, burimet e qeverisë italiane zbuluan se mbështetja e Italisë për Ukrainën është e qartë dhe e vendosur, siç parashikon programi i qeverisë dhe qëndrimet dhe vendimet e shumicës qeveritare. /albeu.com


Shtuar 12.02.2023 21:45