Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se protesta e sotme në formë marshimi ishte një triumf kundër qeverisë së Edi Ramës.
Duke folur për mediat para selisë blu, në mbyllje të protestës, kreu i PD theksoi se protestuesit sulmuan vilën e ish diktatorit Enver Hoxha sepse agjentë të infiltruar iu thanë atyre se brenda saj ishte Edi Rama.
Kryedemokrati u shpreh se kjo betejë ishte një “shpërthim urrejtje” ndaj Ramës, duke shtuar se nuk do të devijojë më, por do ta gjejnë kudo.
“Tirana në tërë ekzistencën e saj, nuk ka njohur një marshim triumfi si marshi i juaj sot. Kjo datë, 28 shkurti, do të shkruhet, gdhendet me germa të arta në historinë e kryengritjes paqësore të shqiptarëve kundër narkoshtetit. Për 3 orë marshi juaj ishte marshi i fitores, i shqiptarëve, i dinjitetit, guximit. Ishte mesazhi më i shkëlqyer që ju i dërguat çdo shqiptari, mesazhi më i madh që iu dërguat miqve tanë në Evropë dhe botë. Ishte tmerri, i kall tmerri dhe datën narkodiktatorit Edi Rama. Në marshim e sipër, agjentë të infiltruar të policisë kriminale, mashtruan kryengritësit se në shtëpinë e ish diktatorit banon Edi Rama dhe kjo ngjalli një revoltë dhe bëri që ata t’i përvishen asaj banese. E gjithë beteja ishte shpërthim urrejtje ndaj Ramës, jo ndaj banesave. Por Rama banon te vila e Mehmet Shehut. Nuk do të mund të devijosh më, e dimë ku je në Surrel ose te vija e Mehmet Shehut.”, tha Berisha.



