Berisha: Protestat masive dhe mosbindja civile e vetmja zgjidhje për përmbysjen e regjimit

Kreu i PD-së, Sali Berisha është shprehur sërish mbrëmjen e sotme gjatë fjalës së tij në tubimin e përditshëm qytetar, se qeveria Rama, po shpopullon vendin çdo ditë dhe më shumë.

Berisha shprehet se e vetmja zgjidhje për përmbysjen e regjimit janë protestat masive dhe mosbindja civile. Sipas Berishës kjo është rruga e vetme për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe për krijimin e qeverisë teknike.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta qëndrestarëve të pamposhtur, mbrojtësve të kauzës së drejtë, misionarëve të lirisë, dinjitetit, shpresës dhe fitores së shqiptarëve. Një përshëndetje të përzemërt për oratorët, fjalët e tyre që rrezatojnë të vërteta, shpresë dhe besim te mbarë shqiptarët.

Miqtë e mi, në këtë betejë ju jeni bërë shembulli më i shkëlqyer. Jeni bërë shembulli i frymëzimit. Shembulli i qytetarit atdhetar. Shembulli i qytetarit të pamposhtur.

Në këtë betejë ju keni përcaktuar rrugën e fitores. Rrugën e betejës për mbarë shqiptarët! Të dashur miq, sot çdo opozitar pret me padurim fitoren ndaj një regjimi të pamëshirë, antishqiptar që po e zhbin Shqipërinë nga shqiptarët. Po shpopullon këtë vend sa asnjë pushtim tjetër në histori.

Por sot çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë si drita e diellit se vetëm protesta e vazhdueshme, vetëm protesta e pamposhtur, vetëm mosbindja civile e vazhdueshme dhe e pamposhtur është rruga për realizimin e qëllimeve tona madhore. Është rruga për përmbysjen e narkoqeverisë. Është rruga për krijimin e qeverisë teknike. Për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe fitoren e padiskutueshme të opozitës.


Shtuar 25.05.2024 20:47

Tags: