Gjatë një takimi me demokratët në Gjirokastër, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, PD festoi 34-vjetorin e themelimit, ka paraqitur një plan ekonomik transformues, duke kritikuar qeverinë aktuale për shpërdorim të buxhetit dhe përkeqësimin e kushteve ekonomike në vend.
Berisha premtoi vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh dhe kthimin e TVSH-së për mallrat bazë, duke theksuar se këto masa do të ndihmojnë qytetarët të përballojnë jetesën.
Ai theksoi se buxheti prej 8.2 miliardë euro, do të ndahet në mënyrë të drejtë: gjysma për qytetarët dhe gjysma për investime publike.
Kryedemokrati akuzoi qeverinë aktuale për keqpërdorim të fondeve publike, duke përmendur shembuj konkretë si ndërtimi i rrugëve me kosto deri në 10 herë më të larta dhe projektet e dështura si inceneratorët, që sipas tij kanë kushtuar 200 milionë euro pa rezultat.
Në planin e tij, Berisha premtoi:
Vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar, përfshirë pensionistët, të papunët dhe ata me ndihmë ekonomike, duke premtuar eliminimin e varfërisë.
Rritjen e pagës minimale në 500 euro, duke siguruar sipërmarrësit se shteti do të kompensojë rritjen përmes uljes së taksave dhe stimujve të tjerë.
Kthimin e TVSH-së për mallrat bazë, një masë që, sipas tij, do të përmirësojë ndjeshëm standardin e jetesës.
Berisha kritikoi rëndë çmimin e lartë të naftës në Shqipëri, duke e cilësuar si një nga shkaqet kryesore të rritjes së kostos së jetesës. Ai premtoi se çmimi i naftës nuk do të jetë më i lartë se ai në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.