Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se interesi i Bashkimit Evropian, por edhe partnerëve ndërkombëtarë për Shqipërinë ka qenë më i lartë se në çdo periudhë tjetër.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD, Berisha tha se gjatë muajve të fundit Shqipëria është vizituar nga disa misione të rëndësishme evropiane për të monitoruar procesin e integrimit dhe reformat në vend.
Të lidhura
None found
Por lideri demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të minimizojë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe të shmangë përgjegjësitë politike.
“Disa muaj më parë në Shqipëri erdhën përfaqësuesit diplomatikë të 27 vendeve anëtare të BE, të cilët formojnë grupin e punës që quhet COELA dhe që funksionon si një forum jashtëzakonisht i rëndësishëm. Funksionon pranë Këshillit të Ministrave të BE si një institucion me mision shumë të rëndësishëm.
Për përgatitjen e negociatave dhe monitorimin e reformave në vendet që janë aspirante për integrimin, vlerësimin e këtij monitorimeve, paraqitjen e qëndrimeve të përbashkëta në konferencat ndërqeveritare. Paraqitjen e raporteve në Këshillin e Ambasadorëve dhe prej aty në Këshillin e Ministrave.
Ky grup pune i BE është mbledhur dhe ka diskutuar gjatë tre muajve të fundit pothuaj çdo javë për Shqipërinë, për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, në diskutim të raportit të ndërmjetëm që vlerëson proceset themelore, pavarësinë e drejtësisë, të drejtat ë qytetarëve, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet, etj. Pra, çështjet më themelore, të cilat në letrën me Vuçiçin, Edi Rama kërkonte t’i hiqte nga rendi i ditës. Shikoni djallëzinë e Edi Ramës. Por e mori përgjigjen.
COELA, me një punë shumë serioze, ka bërë një seri diskutimesh, për të cilat qeveria shqiptare nuk jep asnjë njoftim, as në parlament, as në publikon. Mashtron, mashtron dhe vetëm mashtron Edi Rama me zëdhënëset e tij”, tha ndër të tjera Berisha.
Po ashtu, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se hodhi në kosh Reformën në Drejtësi për Ballukun
“Edi Rama jo vetëm që bllokoi, që tregoi se ky e hodhi në kosh reformën e drejtësisë dhe bllokoi funksionimin, nuk lejoi Ballukun të shkojë atje ku e ka vendin, në burg. Por përkundrazi, Lubi Balluku është sot kryeministrja në hije e Shqipërisë. Dhe Edi Rama mendon se këto, partnerët tanë nuk i shohin. Lubi Balluku është de facto kryeministrja në hije e këtij vendi”, tha kreu i PD.
