Këtë të shtunë, gjatë komunikimit me ndjekësit e tij online, kreu i PD, Sali Berisha, u shpreh se qeveria e narkoregjimit ushtroi dhunë të paparë gjatë protestës së djeshme të opozitës, duke nënvizuar se qëllimi kryesor i pushtetit është të mbyllë skandalet e Ramës dhe Ballukut, por që nuk do lejohen.
Ai u shpreh se opozita ndodhet në kilometrin e fundit të përmbysjes së regjimit dhe diktaturës së dytë.
Të lidhura
None found
“Me çështjen Balluku e Rama vërtetë i mbyllën dyert në Prokurori e Gjykatë, por nuk e do mbyllin dot kurrë me ne deri në ditën e fundit. Sot PD qëndron e fuqishme përballë dhunës e terrorit policor, përballë mafies shtetërore më të rrezikshme në Evropë, përballë mafies së fjalës së lirë që shpif e manipulon kundër opozitës së fuqishme shqiptare. Ne vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore në kilometrin tonë të fundit gjer në triumfin tonë, të palëkundur”, tha ai.
Më tej, Berisha shpjegoi rëndësinë e sloganit “kilometri i fundit”, duke shpjeguar betejat e PD me pushtetin që donte të zaptonte partinë, të merrte vulën dhe flamurin e partisë.
“Ata që abuzojnë me kilometrin e fundit që nëse e bëjnë nga padia është normale, por nëse e bëni nga padija ju them se PD kaloi shumë sfida që ngrihen në kufijtë e legjendave. Në përpjekjet e mëparshme e kilometrat e mëparshme dështuan ata që duan ta uzurponin e ata që vazhduan përpjekjet duke marrë flamujt e vulën dështuan në kilometrat e mëparshme, dështuan ta përçanin në kilometrat e mëparshme. Kjo opozitë faktoi te ndërkombëtarët se zgjedhjet ishin farsë elektorale dhe rezultat i narkoshtetit, janë 7 rezoluta ndërkombëtare. Në kilometrat e mëparshme organizatat kriminale dështoi i hodhëm mënjanë, sot opozita dhe PD është më e mbështetur nga forca ndërkombëtare në Evropë e botë”, vijoi diskursin e tij kreu i selisë blu.
Në fund ai deklaroi se PD nuk do dorëzohet deri në triumf:
“Ndaj të vazhdojmë misionin tonë të palëkundur për të rrëzuar diktaturën e dytë më të rrezikshme në Shqipëri, diktaturën e Ramës”.
