Belgët pyesin një OPGJ të prokurorisë së Tiranës, i dërgoi në Belgjikë Kasandër Nogës të dhënat e TIMS për Hasanbelliun

Një oficer i policisë Gjyqësore, i cili shërben pranë prokurorisë së Tiranës, është pyetur nga hetues Belgë dhe Shqiptarë, lidhur me implikimin e tij në një marrëdhënie përtej profesionit, me Kasandër Nogën.

Ky i fundit është arrestuar në Bruksel të Belgjikës, pasi ka të dhëna të forta se së bashku me krahun e djathtë të tij, Kevin Suçin, kanë tentuar të vrasin me 7 plumba në 11 qershor 2022, kundërshtarin e tyre Erion Hasanbelliun.

“Ora News” mëson se në kuadër të hetimeve që autoritet Belge po kryejnë në Shqipëri për Kasandër Nogën dhe Kevin Suçin alias Zeneli, është pyetur oficeri i policisë gjyqësore me inicialet Sh.K.

Hetuesi shqiptar, rezulton të ketë dalë zbuluar nga një mesazh fotografik të dërguar me telefon nga Shqipëria në Belgjikë në drejtim të Kasandër Nogës.

Sipas dosjes belge të mbërritur në Shqipëri, oficeri i prokurorisë së Tiranës, përmes dy mesazheve ka informuar Nogën, mbi lëvizjet e shtetasit Shqiptar, Mikel Rakipllari që më vonë rezultoi të ishte Erion Hasanbelliu.

Njëherësh oficeri rezulton të ketë informuar Kasandër Nogën, në mënyrë të detajuar edhe për lëvizjet përmes sistemit TIMS të shtetasit Renato Rapaj, ky i fundit një mik i ngushtë i Hasanbelliut.

Kontaktet dhe mesazhet informuese të oficerit të Tiranës në drejtim të Kasandër Nogës, janë konstatuar nga Belgët në telefonin e Kasandër Nogës, i cili u kap nga policia e Brukselit pas atentatit për vrasjen e Hasanbelliut.

Hetuesit Belgë, kanë ngritur dyshime të forta se duke shfrytëzuar rrjetin dhe sistemin informativ të policisë Shqiptare, Kasandër Noga, ka marrë të dhëna të sakta mbi udhëtimet e kundërshtarit të tij Erion Hasanbelliut dhe Renato Rapaj.

Ky informacion i ka shërbyer Nogës, për tu organizuar dhe vënë në zbatim planin së bashku me Kevin Suçin, me qëllim vrasjen e Hasanbelliut në 11 qershor 2022. Goditja e tij është kryer me 7 plumba të një pistolete “Makrov”, teksa Hasanbelliu po udhëtonte me makinë në bulevardin “Adolphe Max 76” në Bruksel.

Fillimisht policia ka menduar se i plagosuri ishte Mikel Rakipllari, pasi në makinë gjeti pasaportën e tij. Por pas hetimeve të kryera u konfirmua se bëhej fjalë për shtetasin shqiptar, Erion Hasanbelliu.

Hetuesit Belgë kanë ndjekur të gjitha lidhjet e dy autorëve të këtij krimi, duke bërë që pak kohë më parë të vizitojnë Shqipërinë, me qëllim kryerjen e 10 detyrave hetimore.

Një ndër këto detyra lidhet dhe me marrjen në pyetje të oficerit të policisë gjyqësore që shërben pranë, prokurorisë së Tiranës./oranews


Shtuar 2.12.2022 18:18