Beleri mbërrin në Athinë: Jam krenar që shkoj të marr detyrën si eurodeputete për të mbrojtur të drejtat e vendit tonë (VIDEO)

Ditën e sotme, Fredi Beleri, ka mbërritur në Athinë pas lejes së miratuar nga Burgjet, ku pritet të takohet me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe më pas do të niset drejt Strasburgut, ku do të betohet nesër si deputet në Parlamentin Europian.

Beleri është pritur në aeroportin e Athinës me përqafime, duartrokitje dhe brohorima, teksa në një prononcim për mediat helene tha se “tashmë edhe në Shqipëri thonë se është i pafajshëm”.

Gjithashtu, Beleri kishte një mesazh edhe për himariotët, duke u shprehur se “ata kanë nënën Greqi”. Përballjen e tij me drejtësinë në Shqipëri, Fredi Beleri e shikon si gjyq të padrejtë, duke theksuar se aventura e tij po merr fund, ndërsa siguron se do vazhdojë luftën për liri.

“Jam i lumtur dhe i emocionuar që mirëpres përsëri njerëzit e mi. Jam krenar që shkoj të marr detyrën si eurodeputete për të luftuar për të mbrojtur të drejtat e vendit tonë. Për të falenderuar kryeministrin grek për besimin në zgjedhjen e tij, ai dëshmoi se është lideri i gjithë helenizmit dhe mbron të gjithë grekët kudo që janë. Gjithashtu, dua të falënderoj bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, të gjithë ata që më mbështetën, mediat që më qëndruan në momentin e parë pranë në këtë gjyq të padrejtë. Aventura ime po merr fund, por lufta për liri, shtet ligjor vazhdon. Dhe vetë shqiptarët thonë tani që jam i pafajshëm, nuk jam i vetmi që e mbështes” , tha Fredi Beleri në deklaratat e tij të para nga Greqia.

“Himariotë-ve duhet t’u them se nuk janë vetëm, kanë nënë Greqinë për t’i mbrojtur, herët a vonë do të shfajësohen”, tha duke iu referuar minoritet grek në Shqipëri.


Shtuar 15.07.2024 13:16