Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar sulmin e fundit ndaj gazetarëve në Zubin Potok, në veri të Kosovës, duke thënë se sulmet e tilla janë të papranueshme.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se të hënën, 26 dhjetor, është njoftuar për “një tjetër sulm të rëndë” ndaj gazetarëve që po raportojnë nga veriu i Kosovës.
Sipas AGK-së, për këtë sulm është njoftuar edhe Policia e Kosovës. Megjithatë, Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë rast.
Shqetësim lidhur me sulmet ndaj gazetarëve që po raportojnë nga veriu – deri më tani janë raportuar për gjashtë incidente të tilla – ka shprehur edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
“Ky dhe incidentet e mëparshme që e ndikojnë punën e mediave janë të papranueshme. Mediat kanë çdo të drejtë të raportojnë. Siguria e tyre nuk duhet të rrezikohet”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së, e cila i dëshiroi shërim të shpejtë ekipit të gazetarëve.
We ?? strongly condemn today’s attack on @klankosova_tv’s TV crew in Zubin Potok, and wish them a speedy recovery.
This and previous incidents affecting the work of the media are unacceptable.
Media have every right to report. Their safety and security must not be endangered.
— European Union in Kosovo (@EUKosovo) December 26, 2022
Sipas AGK-së, ekipi i Klan Kosovës është sulmuar me gurë në fshatin Zupç të Zubin Potok nga “persona të maskuar”.
“Ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç. Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime”, thuhet në njoftim.
Disa nga gazetarët që po raportojnë nga veriu i Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, kanë thënë më herët për REL-in se nuk kanë mbrojtje të duhur gjatë raportimit.
Barrikadat në veri janë ngritur që nga 10 dhjetori nga disa serbë lokalë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili akuzohet për organizimin e “sulmit terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Që nga atëherë janë shënuar një numër i incidentesh, ku përveç gazetarëve janë sulmuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe trupave ndërkombëtare, si EULEX dhe KFOR./REL