Bashkimi Evropian vendosi të enjten sanksione të reja ndaj Rusisë lidhur me luftën në Ukrainë. Ky hap vjen pasi vendet anëtare të bllokut mbështetën një sërë masash mes tyre ndalimi i importit të arit rus si dhe shtrëngimi i kontrollit mbi eksportin e disa mallrave të teknologjisë së lartë.
Komisioni Evropian Ursula von der Leyen tha se përforcimi i sanksioneve e shtrirja në kohë e tyre i dërgon “një sinjal të fortë Moskës se ne do të vazhdojmë të ushtrojmë trysni për aq kohë sa të duhet”.
Ende nuk ka detaje mbi sanksionet e reja pasi ato pritet të postohen në fletoren zyrtare të BE-së.
Gjatë gjithë javës zyrtarët evropianë kanë kërkuar të shtrëngojnë paketën e gjerë të sanksioneve ndaj Rusisë, duke i shtuar dhe një vendim për ndalimin e eksportit të arit, me shpresën se masat të kenë një ndikim vendimtar në luftën në Ukrainë.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell tha të hënën se për momentin “gjëja më e rëndësishme është ndalimi i arit rus”, industria e dytë më e madhe e eksportit e këtij vendi, pas energjisë.
Muajin e kaluar grupi i shtatë vendeve me të industrializuara të botës (G7) u angazhua për një ndalim të arit rus, duke theksuar se Moska ka përdorur atë për të anashkaluar ndikimin e disa raunde sanksionesh të vendosura nga Perëndimi.
Krahas masave kufizuese, BE-ja vendosi gjithashtu të japë 500 milionë euro të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën./voa