BE: Para se të vinte çështja e targave, propozimin franko-gjerman s’e kishte refuzuar as Kosova as Serbia

Problemi me targat ilegale në Veri të Kosovës dhe afati i vendosur nga qeveria në Kosovë për të zbatuar masat për shoferët që vozisin me këto targa e bëri Bashkimin Evropian që të rikthehet në menaxhim krize e mos të merret më me propozimin franko-gjerman, përndryshe këtë propozim nuk e kishte refuzuar as Kosova dhe as Serbia, ka thënë në konferencë për media, Josep Borell, përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian.

“I ashtuquajturi propozimi franko-gjerman, në fakt është propozimi i mbështetur nga franko-gjermanët, sepse atë e kemi prezantuar ne, unë dhe Miroslav Lajçak”, tha fillimisht Borell.

“Është një propozim, më mirë le ta quajmë një propozim evropian dhe provon të dal jashtë kësaj situate të menaxhimit të krizave. Në dy tre vitet e fundit kam qenë vazhdimisht në menaxhim krizash”.

“Nga një krizë në tjetrën. Duke zgjidhur krizën e djeshme e duke menduar për kizën e nesërme. Kjo nuk është mënyra, prandaj na u desh një qasje më e strukturuar, duke shikuar thellësisht çështjet dhe të provojmë ndalimin e krizave. Pra ky është një hap përpara, një qasje e re”, shtoi Borell.

“Më duhet të them se të dyja palët, le të mos them po pajtoheshin, por nuk po e refuzonin propozimin. Ky mos refuzim është tepër shumë në vetvete”, deklaroi ai, por duke shtuar se “tash prapë jemi në situatë krize”.

Gjithsesi, ai tha se është me patjetër që një zgjidhje të gjendet, ndryshe situata është tejet problematike me “vakumin institucional që është krijuar pas largimit të serbëve nga institucionet në Veri”.

“Duhet ta gjejmë një zgjidhje për këtë krizë javën e ardhshme. Kur ta kalojmë këtë krizë, atëherë besoj se do të jemi në gjendje ta shohim problemin me lente të tjera, jo me këto to menaxhimit të krizave”.

Më 7 nëntor, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se situata e fundit në Veri nuk po ndodh për shkak të targave e as për arsyet të cilat janë thënë.

Kurti, theksoi se e gjithë kjo situatë është krijuar për shkak të refuzimit të propozimit franko-gjerman nga Serbia.

“Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, as për suspendimin e Nenad Gjurçit. Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ja kanë bërë propozimit të Parisit dhe Berlinit, këtë koordinim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe presidentin despotik Putinin dhe për ata po i përdorin serbët të cilët vazhdojnë t’i dëgjojnë akoma në Republikën e Kosovës pra pjesëtaret e ndryshëm të strukturave ilegale”.

Kronologjia e ngjarjes

Madje Kurti, para gazetarëve sqaroi edhe kronologjinë e ngjarjes që ka sjellur deri tek një situatë e tillë.

“Qëllimi i Beogradit nuk është për të mos pranuar planin, por qëllimi i tyre është për ta maskuar refuzimin e planit dhe tash i bëjnë këto drama që nuk duhet të shndërrohen në tragjedi. Ajo çfarë ne kemi thënë është se ne e kemi parë si hap në drejtimin e hapur meqenëse mocionet që përdorën në atë propozim janë vlera, për dallim nga propozimet e tjera”.

“Gjithçka ka filluar më 18 gusht pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes, unë jam i bindur që më deri me datën 18 gusht nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, kemi pasur dialog për dakordime të vogla, kemi pasur dialog për konsusione nganjëherë edhe dialog për dialog”.

Kreu i ekzekutivit ka përmendur edhe pikat që kanë qenë në takim si dhe takimin që kishte zhvilluar me këshilltarët e Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.

“Mirëpo, më 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë çështjet aktuale dhe më 9 shtator ende pa u bërë një muaj patën ardhur në zyrën time këtu e më pastaj shkuan edhe në Beograd, këshilltaret e lartë të Scholz dhe Macron së bashku edhe me ndërmjetësuesin Lajçak ata kanë sjellur përmbledhje të ideve të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë që janë bazë e mirë unë i kam vërejtjet e mia, jua kam thënë edhe atyre, mirëpo unë nuk e kam refuzuar”.


Shtuar 15.11.2022 07:51