BE, negociata me Iranin/ Europa nis lëvizjet për uljen e tensionit

Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe pritet të takohen të premten në Gjenevë me homologun e tyre iranian për bisedime mbi programin bërthamor të Iranit, sipas asaj që kanë zbuluar burimet diplomatike për mediat ndërkombëtare.

Sipas këtyre burimeve, ministrat evropianë do të takohen fillimisht me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Kaja Kallas, në përfaqësinë e përhershme të Gjermanisë në Gjenevë, përpara se të zhvillojnë një takim të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Iranit.

Këto bisedime synojnë t’i japin fund shqetësimeve ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit, duke kërkuar një garanci të qartë se ai do të përdoret vetëm për qëllime civile. Një burim nga Gjermania theksoi se bisedimet po zhvillohen në koordinim me Shtetet e Bashkuara, edhe pse Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar të deklarojë nëse SHBA do t’i bashkohet fushatës ushtarake të Izraelit kundër Iranit – një qëndrim që ka rritur frikën për përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme. Pas takimit politik, pritet që të nisë një “dialog i strukturuar në nivel ekspertësh”, që do të fokusohet në çështjet teknike të programit bërthamor iranian.

Izraeli ka deklaruar se synimi i tij është të shkatërrojë çdo mundësi të Iranit për të ndërtuar një armë bërthamore, ndërsa vetë Teherani mohon që programi i tij të ketë qëllime ushtarake. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shkaktuar reagime të ashpra në Teheran këtë javë pasi mbështeti sulmin izraelit dhe paralajmëroi se “nëse Irani nuk punon për të ulur tenionet, do të përballet me shkatërrim edhe më të madh.” Ndërkohë, Ministri i Jashtëm gjerman u ka bërë thirrje udhëheqësve iranianë të angazhohen për një zgjidhje diplomatike, duke thënë: “Asnjëherë nuk është vonë për të ardhur në tryezën e bisedimeve.”

Bisedimet në Gjenevë konsiderohen si një përpjekje e fundit nga fuqitë evropiane për të shmangur një luftë më të gjerë dhe për të rifilluar dialogun për marrëveshjen bërthamore me Iranin.


Shtuar 19.06.2025 13:43

Tags: ,