Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka dënuar dhunën që ka ndodhur të enjten në Kuvendin e Kosovës midis deputetëve dhe ministrave të Qeverisë së Kosovës.
Shefi i Zyrës së BE në Kosovë, Tomas Szunyog ka shkruar në Twitter se sulmet fizike që kanë ndodhur të enjten janë zhgënjyese, ndërsa ka shtuar se Kuvendi i Kosovës nuk është vend ku mund të ushtrohet dhunë.
“Skena zhgënjyese dhune janë parë sot në Kuvend. Kuvendi nuk është vend për sulme fizike, por vend për të diskutuar propozimet dhe politikat në mënyrë demokratike. Diskutimet dhe shkëmbimi i ideve janë bazat themelore të një demokracie”, ka shkruar Szunyog në Twitter.
Disappointing scenes of violence seen today in the Assembly. The Assembly is not a place for physical attacks, but a place to discuss proposals and policies in a democratic manner. Discourse and exchange of ideas are basic foundations of a democracy.
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) July 13, 2023
Gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku, ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.