BE-ja akuzon Britaninë për ndryshime të njëanshme të marrëveshjes mbi ‘Brexit’

Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën se do të rifillojë veprimet ligjore kundër Britanisë së Madhe lidhur me një projektligj të prezantuar nga Londra që do të anashkalonte pjesë të traktatit mbi marrëveshjen e Brexit.

Projektligji i propozuar i Mbretërisë së Bashkuar synon të heqë kontrollet doganore për disa mallra që hyjnë në Irlandën e Veriut nga pjesa tjetër e Britanisë. Kjo do të anashkalojë pjesë të traktatit tregtar që kryeministri Boris Johnson nënshkroi me BE-në më pak se dy vjet më parë.

BE-ja beson se vendimi i njëanshëm i Mbretërisë së Bashkuar është duke shkelur ligjin ndërkombëtar. I ashtuquajturi Protokolli i Irlandës së Veriut është pjesë e marrëveshjes së Brexit që e mban Irlandën e Veriut në tregun e përbashkët të BE-së për mallra.

Blloku prej 27-vendesh do të rifillojë procedurën e shkeljes të nisur kundër qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar vitin e kaluar pasi Britania zgjati në mënyrë të njëanshme një periudhë mospagimi që zbatohet për tregtinë në ishullin e Irlandës.

Aksioni ligjor ishte pezulluar në shtator 2021 pasi të dyja palët u përpoqën të gjenin një zgjidhje të përbashkët. Për më tepër, BE-ja do të nisë veprime të mëtejshme kundër Britanisë për një dështim për të kryer kontrollet e nevojshme sipas rregullave të BE-së dhe për të ofruar të dhëna statistikore tregtare siç kërkohet nga protokolli./REL


Shtuar 15.06.2022 12:00