Bashkëpunim Berisha-Basha? Artan Fuga ka një këndvështrim tjetër mbi zhvillimet në PD

Akademiku i njohur, Artan Fuga, ka dhënë një opinion ndryshe rreth zhvillimeve në Partinë Demokratike pas protestës së 8 janarit dhe pas përjashtimeve të mbrëmjes së djeshme.

Fuga është shprehur se Basha i ka bërë një nder Sali Berishës, pasi sipas tij ai i ka dhuruar një grup parlamentar, me përjashtimet që bëri mbrëmjen e djeshme.

Fuga ka shtuar se tashmë Berisha e konsolidoi grupin e tij të deputetëve dhe sipas tij të dyja palët e arritën qëllimin.

 Postimi i Fugës:

Nderi lahet me nder!

Pas dhunës dhe skenave të dhunës që u “dhuroi” shqiptarëve në televizion, dhe gjithë planetit, skenat e turpit ku nga të dy palët u kthye logjika barbare dhe primitive e ushtrimit të dhunës paramilitare ndaj kundërshtatit, çështjet u “zgjidhën” me vetëgjyqësi, trupi i deputetëve dhe i politikanëve u përdor si “dash” prej mishi për goditje, ose si mburojë prej mishi për të ruajtur kështjellën, reciprokisht, Partia demokratike kaloi në një fazë të re.

Zoti Lulzim Basha i “dhuroi” mbrëmë vonë zoti Sali Berisha grupin e vet parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë.

Duke përjashtuar “për jetë” një numër deputetësh tani këta nuk e kapërcejnë dot më “ylberin” dhe grupi i deputetëve në Kuvend rreth z. Sali Berisha u konsolidua plotësisht.

Të dy liderët u “rehatuan” pasi problem i para 9 shtatorit u zgjidh “me sukses”.  Basha “plotësoi” kërkesën amerikane për t’a hequr nga grupi deputet demokrat Berishën, dhe Berisha që sikundër theksonte kishte ikur tashmë, dhe mbetej i izoluar në Kuvend, tani ka të dhuruar grupin e ri parlamentar nga partia e tij dhe nga njeriu që e futi dhe kapapultoi në politikë.

Nga i përjashtuar nga grupi i deputetëve demokratë, z. Berisha rivjen po me “ndihmën” e partisë së tij dhe të drejtuesit të saj, me një grup të konsoliduar deputetësh në Kuvend.

Nderi lahet me nder!

Ky ishte rezultati politik objektiv i ngjarjeve! E them pa pikë pasioni!

Të dy palët e arritën qëllimin maksimal.  E ndihmuan njeri tjetrin në ditë të keqe!/albeu.com/


Shtuar 11.01.2022 14:53