Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi këtë të hënë takime me qytetarë dhe biznese në zonën e Qesarakës në Tiranë.
Gjatë takimit me një bukëpjekës, Basha u shpreh se PD në qeveri nuk do ta trajtojë biznesin e vogël si një lopë për t’u mjelë, por si partner për zhvillimin e vendit.
“Në vend që t’ju ndihmojnë, t’ju stimulojnë ju thyejnë në mes. 25 prilli nuk bëhet për partitë, bëhet për ekonomitë, për njerëzit, për familjet. Do votoni për një shtet që në vend që t’ju trajtoj si një lopë për tu mjelë, e veten e vet si pronar, do tu trajtojë si partnerë në zhvillimin e vendit. Nëse ju krijoni të ardhura, do hapni një furrë tjetër, do punësoni edhe 2-3 zonja të tjera, do rrisni mirëqenien. Ndaj për të gjithë biznesin, për të gjithë sipërmarrjen që vuan, unë kam një mesazh, vota për numrin 9 do të thotë votë për ekonominë, për çlirimin e biznesit. Nuk ka alternativë, e vetmja alternativë është ndryshimi, dhe nuk ka alternativë pa larguar këtë qeveri në 25 prill. Ju e shikoni çfarë energjie ka për ndryshim”, tha Basha.
Kryedemokrati u ndal edhe në një farmaci, ku u angazhua për një paketë të re për rimursimin e familjeve të goditura nga Covid-i në Shqipëri.
“E domosdoshme të rimbursojmë familjet që janë goditur nga Covid-i. Bëhet fjalë për dhjetëra mijëra familje që kanë shpenzuar 2 mijë euro për Covid-in. Po përgatisim një paketë, na duhet edhe ndihma juaj, do flasim edhe me Urdhrin e Farmacistëve”, tha kreu i selisë blu.
Gjatë bisedave rastësore në rrugë një qytetar e pyet Bashën: “A ke forcë akoma?”, ndërsa kreu i PD i përgjigjet: “Shumë! Po vjen dita. Edhe ju mos u dorëzoni”.