Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar për përgjimin e publikuar nga gazetari Artan Hoxha, ku drejtori i Kadastrës Artan Lame përdor legalizimet për fushatë. Basha nga Kamza e ka cilësuar këtë si akt kriminal.
Para qindra mbështetësve demokratë Basha tha se Rama premton legalizime, por në të vërtetë kërkon të marrë votën e qytetarëve duke mashtruar. Kreu i demokratëve kërkoi votën për Partinë Demokratike për të vijuar më tej përfundimin e procesit të legalizimeve.
“E dëgjuat si drejtori i Kadastrës me porosi të Ramës udhëzon që të shkojë derë më derë e t’u thonë familjeve që do t’ua bëjmë legalizimet pasi të na jepni votën, por në fakt ne nuk do t’ua bëjmë por s’mund t’ua themi tani. Ky është një akt kriminal sepse çdo shtëpi nga ato qindra mijëra që ai do t’i prishë pas 25 prillit është sakrifica e jetës dhe familjes. Premton legalizim kur në fakt qëllimi është t’ua prish pas zgjedhjeve vetëm që t’ju marrë votën me mashtrim. Ky është Edi Rama i vërtetë, që vetëm pak metra më tej firmosi legalizimin falas. Kjo është politika që shkatërroi vendin. Le ta marrë përgjigjen nga Kamza, dhe gjithë Shqipëria. Me 25 prill do ta largojmë duke votuar numrin 9 për të përfunduar procesin e legalizimit. Për të gjithë ata që meritojnë dhe do të kenë me planin tonë përfundimin e këtij procesi.ora e ndryshimit nuk ka të ndalur,” tha Basha.
Basha u shpreh i bindur se PD do të sjellë të dielën fitoren e jashtëzakonshme që do të hyjë në histori. Kryedemokrati kërkoi pjesëmarrje masive ditën e zgjedhjeve për të larguar sipas tij njëherë e mirë të keqen.
“Do të jetë pjesëmarrja më masive dhe fitorja më e thellë në historinë e vendit. Këtë e dëshmon kjo prani e jashtëzakonshme këtu në Kamëz. E kam parë në sytë e nënave, të rinjve nga Saranda në Tropojë. E prek dhe e shoh kudo padurimin, etjen për ndryshimin që po vjen dhe nuk ka forcë që ta ndalë. Forca e ndryshimit ndodhet këtu në këtë shesh dhe dhjetëra e qindra të tjerë si ky, të mbushur me shpresë, me besim dhe vendosmëri për ti dhënë fund dimrit tetë vjeçar. Për ta larguar njëherë e mirë me votë. Tetë vite dështime, tetë vite mashtrime. Tani po vje ora dhe dita e shqiptarëve për ti dhënë përgjigje duke votuar numrin 9. Të gjithë bashkë drejt kutive të votimit. Të gjithë bashkë këtë të diel do të votojmë numrin 9 për t’i dhënë fund njëherë e mirë politikës së mashtrimeve,” deklaroi kreu i PD. /albeu.com/