Kreu aktual i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim ditën e sotme në Shijak. Basha u shpreh se 25 prilli ka hyrë në histori si masakra më e madhe zgjedhore. Ai tha se më 25 prill bandat morën peng demokracinë dhe sipas tij socialistët dolën nga ky proces të kapur deri në rrënjë.
“Beteja për unazën e re njësoj si shumë beteja të katër viteve faktuan shpirtin e qëndresës te demokratët, vendosmërinë dhe vetëdijen se ne nuk jemi thjesht një parti politike por e vetmja familje që i shërben shqiptarëve. Ishim të vetëdijshëm për pabarazinë e betejës. Që nga rrafshimi i marrëveshjes së 5 qershorit se kë kishim përballë. 25 prilli ka hyrë në histori si një ngjarje e dy përmasave.
Kurrë më parë përmasat e masakrës zgjedhore nuk kanë qenë të tilla. Me duart bosh pa asnjë pushtet por me pushtetin më të madh që zoti mund t’i falë njerëzve të lirë dhe pushtetin moral të një familje politike që ka lindur nga lëvizja e dhjetorit. I ka sjellë Shqipërisë etapa të rëndësishme. Jo më kot të gjitha arritjet mbajnë vulën tuaj dhe të Partisë Demokratike. Kjo masakër zgjedhore ka tejkaluar gjithçka që është parë në këtë vend. Më 25 prill ka rënë demokracia.
Më 25 prill nuk është dita kur shumica vendosi por dita kur bandat morën peng ëndrrën për ndryshim. Janë të vetëdijshëm për atë që i kanë shkaktuar shoqërisë, vendit dhe demokracisë. Janë hedhur në agresion sërish kundër partisë demokratike. Ne u rritëm dhe nuk e kam fjalën për rritjen numerike që është e faktuar në degët që ju mbuloni. Ata dolën me një shtet të kapur deri në rrënjë ndërsa ne dolëm me një program ndër të mirët të hartuar në vitet e fundit”, u shpreh Basha.
Kreu i PD theksoi se partia ndodhet në kushtet e një gare të brendshme të cilën e quajti një tjetër provë të vlerave të saj për demokracinë dhe respektin për konkurrencën.
“Sot në kushtet e një gare të brendshme, një garë e cila është një tjetër provë e vlerave tona, e vlerave të demokracisë, e vlerave të respektit për konkurrencën, për debatin. Të gjithë duhet të jemi krenar me këto vlera dhe ky është një avantazh i padiskutueshëm për të cilin nuk duhet të fshihemi por duhet ta shpalosim para shqiptarëve si një garanci më shumë, sepse jemi të gatshëm dhe gati për të administruar daljen nga kriza dhe për të përmbushur aspiratat e tyre për ndryshim”, deklaroi kreu i PD.