Basha e përjashtoi nga partia, Bardhi: Kërkon të zhvendosë vëmendjen për 2 katet e kullës që ka marrë

Ditën e djeshme, 9 tetor, Gazment Bardhi u përjashtua nga Kryesia e Partisë Demokratike.

Kryesia vendosi përfundimin e anëtarësisë së Bardhit në këtë forcë politike unanimisht.

Bardhi i është përgjigjur këtij vendimi, ditën e sotme kur ka folur për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar.

Sipas Bardhit ky është vendim i Lulzim Bashës për të zhvendosur vëmendjen nga dy katet që Bardhi e akuzon se i ka marrë në kullën “Lion Park” te Liqeni.

Bardhi: Një e qeshur dhe merreni pak më me të qeshur aktet jo serioze të kolegut Lulzim Basha. Do të zhvendosë vëmendjen e kam thënë dhe dje. Nëse ky vendim e ndihmon që dy katet e kullës t’i mbajë në xhep dhe të mos ia shohin njerëzit, le të marrë vendime të tilla çdo ditë. Dy akte janë aty, letrat janë aty, shqiptarët po verifikojnë dhe po shohin dita ditës se kush ishte në aleancë me kullat. Duke qenë se nuk i doli, mendon se po bën aleancën e të përjashtuarve. Edhe këtu do dalë blof se Basha është përjashtuar me vendim të shumicës./Albeu.com

 


Shtuar 10.10.2023 15:15