Bardhi publikon sërish video nga zgjedhjet: Ja si një patronazhiste e PS prish sistemin e videomonitorimit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar sërish në rrjetet sociale video nga zgjedhjet e 11 Majit, duke akuzuar patronazhistët e Partisë Socialiste për prishjen e sistemit të videomonitorimit në disa qendra votimi.

Sipas Bardhit, në shumë qendra votimi kamerat ose nuk janë ndezur fare, ose kanë funksionuar vetëm për pak minuta, duke krijuar mundësi për shkelje të procesit të votimit. Ai thotë se në disa qendra votimi, kamera janë vendosur në pozicione që nuk filmojnë procesin e votimit, por vetëm dyshemenë apo tavanin.

Postimi i Gazment Bardhit:

Episodi 3/ Mungesë transparence = Farsë Elektorale
Sipas nenin 22 të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja instalon dhe përdorë sisteme videomonitorimi në qendrat e votimit (QV), për të monitoruar dhe provuar rregullshmërinë e procesit në mjediset e brendshme të tyre. Për këtë proces, KQZ-ja ka shpenzuar rreth 5 milionë euro nga paratë e qytetarëve shqiptarë.
Në ato pak QV ku sistemi i videomonitorimit është vënë në punë, nga ana jonë janë evidentuar shkelje të rënda të procesit të votimit dhe haptazi krime të shumëfishta elektorale, të cilat janë bërë apo do të bëhen publike këto ditë.
Në rastin më poshtë konstatohet sesi një patronazhiste e PS, e kamufluar si punonjëse e KQZ, është shndërruar në terroriste elektorale, duke shpërdoruar detyrën dhe duke prishur haptazi sistemin e videomonitorimit. Në QV 2817, njësia administrative Dushk, Bashkia Lushnjë, vetëm 2 orë pasi ka filluar procesi i votimit dhe ku janë regjistruar shkelje të shumta, punonjësja e KQZ prish sistemin e videomonitorimit, duke ndryshuar dhe pozicionuar kamerën në këndin e ambienteve të jashtme të QV. Ky është një krim elektoral dhe KQZ ka detyrimin ta identifikojë punonjësen e vet dhe ta mbajë përgjegjëse penalisht për shpërdorimin e detyrës.
Ndërkohë, nga të dhënat zyrtare të marra nga vetë KQZ rezulton se në më shumë se 85% të QV të qarkut Fier, regjistrimi me sistem video ka qene jashtë funksionit, duke mos arritur të monitorohet rregullshmëria e procesit. Kjo për shkak se:
Në shumë QV nuk ka regjistrime të procesit me sistem videomonitorimi, sepse kamerat nuk janë ndezur fare apo janë ndezur vetëm pak minuta, sipas sistemit të KQZ. Për këtë KQZ ka paraqitur provat nga sistemi i saj që tregojnë që kamerat nuk kanë regjistruar!
Në shumë QV kamera është vendosur në pozicione të cilat nuk arrijnë të identifikojnë proceset e votimit brenda QV, por filmojnë dyshemenë apo tavanin, duke shmangur detyrimin ligjor. Për këtë KQZ shprehet se ajo i ka udhëzuar punonjësit e saj se si duhet vendosur kamera, por udhëzimet e saj nuk janë zbatuar!
Në shumë QV regjistrimi është pa cilësi që të bëjnë të dallueshme procesin e votimit brenda QV me sistem videomonitorimi; për shkak se kamera është lënë e bllokuar. Për këtë KQZ shprehet se kamera mund të ketë humbur cilësinë e saj apo të jetë dëmtuar gjatë transportit!
Në shumë QV regjistrimi është i pjesshëm që nuk përfshin nisjen apo përfundimin e tij (veçanërisht procesin e sigurimit të kutisë së votimit).
Qartazi kjo tregon se zgjedhjet e 11 Maj nuk përmbushën asnjë garanci për rregullshmërinë e tyre. Operatorët Teknik të KQZ kanë shpërdoruar hapur detyrën. Mirëpo, Belinda Balluku që urdhëroi që sistemi i videomonitorimit të nxirrej jashtë funksionit në pjesën dërrmuese të QV-ve në qarkun Fier, ishte edhe garancia e terroristëve elektoralë, të veshur si punonjës të KQZ-së, që të shkelnin ligjin pa pasoja. Ndërsa Task Forca kundër krimeve zgjedhore ishte e zënë duke bërë foto, që të mbanin gjallë alibinë e Edi Ramës se janë duke punuar e luftuar “fuqishëm” krimet zgjedhore!

 


Shtuar 8.08.2025 13:09