Balliu: Parada që shqetësoi Vuçiçin dhe ekspozoi heshtjen e Rames

Deputeti i zgjedhur, Klevis Balliu shkruan se: “Më 31 korrik, Kroacia organizoi një paradë ushtarake mbresëlënëse – një demonstrim i qartë i fuqisë dhe profesionalizmit të ushtrisë së saj moderne, sot ndër më të avancuarat në rajon. Kjo ngjarje nuk ishte vetëm një akt ceremonial, por një sinjal gjeopolitik për orientimin euroatlantik të Ballkanit.

Në Serbi, presidenti Vuçiç reagoi duke bllokuar çdo pasqyrim mediatik të kësaj parade, gjë që tregon qartë shqetësimin për ndryshimin e ekuilibrave të sigurisë në rajon.

Por më shqetësuese është heshtja e Shqipërisë – një vend që ka nënshkruar marrëveshje ushtarake strategjike me Kroacinë dhe Kosovën në fushën e sigurisë qe per ironi te fatit e ka firmosur edhe vet.

Kjo heshtje zbulon ndarjen e thellë mes retorikës dhe praktikës së politikës së jashtme të qeverisë shqiptare.

Kroacia është një partnere strategjike e Shqipërisë, anëtare e BE-së, mbështetëse e fortë e Kosovës dhe kundërshtare e ideologjive destabilizuese që përfaqëson regjimi i Vuçiçit. Mungesa e një reagimi institucional nuk është vetëm zhgënjyese – është një sinjal diplomatik i gabuar, që forcon perceptimin e një afërsie të pavend me Serbinë, e cila është bërë më e dukshme përmes nismave të diskutueshme si “Ballkani i Hapur”.

Kryeministri Rama duhet të kuptojë se heshtja përballë aleatëve nuk është strategji, por dobësi politike. Të injorosh një ngjarje të tillë domethënëse nga një vend mik si Kroacia, vetëm për të mos prishur balancat me Beogradin, është një gabim që dëmton pozicionin e Shqipërisë në rajon.

Parada kroate nxori në pah jo vetëm forcën e një aleati, por edhe boshllëqet e rrezikshme në diplomacinë shqiptare. Shqipëria nuk mund të mbetet neutrale kur vlerat strategjike të rajonit janë në lojë. Ka ardhur koha për një politikë të jashtme të qartë, të vendosur dhe të përkushtuar pa mëdyshje ndaj interesit kombëtar dhe partnerëve tanë euroatlantikë”.


Shtuar 2.08.2025 15:16

Tags: ,