Avokat Ngjela bën deklaratën e fortë: Nëse këtu fiton korrupsioni, do të ketë dhunë

Temë e diskutimit në emisionin Open, në News 24, këtë të mërkurë, ishte procesi i nisur për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. I ftuar në emision avokat Spartak Ngjela ka bërë deklaratën e fortë, ku tha se SPAK aktualisht është në fijë të perit dhe nëse do të triumfojë korrupsioni, përmes cënimit të zgjedhjeve për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, atëherë në vend do të ketë ushtrim dhune.

Duke komentuar deklaratat e ambasadores, Yuri Kim, Ngjela tha se situata në SPAK është serioze dhe pas këtij prononcimi fshihet frika se reforma në drejtësi po shkon drejt dështimit

“Janë deklarata shumë serioze ato të ambasadores, reforma në drejtësi që ishte shpresa e shoqërisë po shkon drejt dështimit. Ky nuk është rasti parë që Amerika flet përmes ambasadores. Para disa ditësh ajo tha që SPAK po dështon sepse janë personazhet që po e dështojnë janë ose të trembur ose të blerë, nëse rasti përsëritet këtu flasim për një raport. Pavarësisht se ata i zgjodhën në disa mënyrë korrupsioni ka qenë aq i madh sa dhe këta që shpëtuan nuk kanë pasur prova për t’i eliminuar por si duket janë e njëjta specie. Të presim se çfarë do krijohet me zgjedhjen e kreut të SPAK. Ambasadorja tha që u duhet një votim transparent, kanë mundësi ta bëjnë këtu me gjithë këtë korrupsion, kush do i numërojë votat, kush do ta drejtojë procesin, unë them se ne nuk kemi mundësi.

Korrupsioni shqiptar po e manipulon, gjithë reforma është kundër korrupsionit, por korrupsioni ka shenja lidhur me kundërshtaret e NATO-s, sa herë që rrezikohen venë te kundërshtari. Pyetja është çfarë do bëhet nëse dështon SPAK që është në fije të perit. Nuk e njohin këta se çfarë ndodh kur mund të dështojë një politikë e madhe si e Uashingtonit, do ketë ushtrim dhune nuk diskutohet, 100% ose do shkatërrohen urat. Kështu ka shkuar Greqia, kishte hapur sytë nga 2 metra politika sovjetike, priste që të shkatërrohej që të vinin komunistët në krye. E shikoni këtë SPAK-un, nëse ai nuk respekton ligjin dhe merr rroga maksimale, e dini rrogën që kanë ata, janë paratë e popullit ato, nuk shkelet mbi ato para se trembesh.

Këta paguhen për drejtësinë dhe Amerika i kontrollon dhe thotë që jemi përballë 2 fenomeneve, blerja dhe trembja, që e bën korrupsioni. Nëse korrupsioni bllokon SPAK-un do ndodhe si ka ndodhur më parë në histori, problemi qëndron këtu, a do vijë Shqipëria deri këtu. Ka një konflikt të madh mes Rusisë dhe Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Nga Kosova kanë filluar të gjitha, tani vijmë te korrupsioni shqiptar që është me ata sepse ka vjedhur. Ka vjedhur sepse kërkon shpëtim, por është shpresë pa vlerë, nëse do qëndrojë politika amerikane nuk kanë shpëtim këta, po të mos dali SPAK-u nuk ka shpëtim”, tha Ngjela.


Shtuar 23.11.2022 22:20