Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Fisnik Asllani, po kalon një moment shumë të mirë te Hoffenheimi, teksa vështirësitë dhe pasiguritë e verës duket se kanë mbetur pas. Futbollisti kosovar është duke e rikuperuar gradualisht ritmin e tij më të mirë dhe po i gëzohet edhe paraqitjeve në kompeticionet evropiane.
Asllani, që të mërkurën u bë pjesë e festës për ditëlindjen e 49-të të trajnerit Christian Ilzer, ka plot arsye për të buzëqeshur. Pas një faze të ndërlikuar, ai ka rifituar formën dhe po aktivizohet rregullisht si titullar në skuadrën gjermane.
Të lidhura
None found
Fokusi i Hoffenheimit tani është te takimi i së enjtes në Ligën e Evropës përballë Lyonit, që vjen pas triumfit ndaj Borussia Mönchengladbachut. Trajneri Ilzer e cilësoi kundërshtarin si një ekip të fortë, me elasticitet taktik, lojtarë të shpejtë dhe forcë fizike.
Për Asllanin, ndeshjet evropiane mbartin një peshë të veçantë, pasi janë duele që më parë i ka parë vetëm përmes ekranit.
“Jam tejet i kënaqur për netët evropiane. Këto janë ndeshje që dikur i ndiqja nga divani”, tha sulmuesi 24-vjeçar, i cili po e shijon mundësinë për të treguar vlerat e veta në një nivel të lartë.
Muajt e fundit nuk kanë qenë të thjeshtë për Asllanin. Lëvizja e tij e mundshme te RB Leipzigu dështoi në momentet e fundit për shkak të shqetësimeve mjekësore, duke ia prishur planet për hapin tjetër të karrierës dhe duke i marrë kohë të çmuar nga përgatitjet verore.
Megjithatë, sulmuesi kosovar nuk hoqi dorë dhe vijoi të punonte për rikthimin e gjendjes fizike.
“Nuk kanë qenë javë të lehta, por jam munduar gjithmonë të jap maksimumin, qoftë në palestër apo kudo tjetër. Mbi të gjitha jam shumë i lumtur që jam përsëri në fushë. Kjo është ndjesia më e bukur, sidomos kur vjen pas një periudhe të vështirë”, u shpreh Asllani.
Ai nuk preferoi të zgjatej më shumë te vendimi i Leipzigut, duke zgjedhur të përqendrohet te e tashmja dhe te hapësirat që i janë hapur te Hoffenheimi.
Rikthimi i tij po përkon me performanca gjithnjë e më të suksesshme. Në tri ndeshje brenda një jave, Asllani shënoi dy asistime, një gol dhe një goditje që u ndal në shtyllë, duke dëshmuar se po e rimerr formën dhe ndikimin në lojën e ekipit.
Asllani është i bindur se e ka lënë pas periudhën më të vështirë dhe se puna e bërë gjatë mungesës po jep fryte.
“Ndihem shumë mirë dhe trupi im ndihet shumë mirë. Kohën që kam munguar e kam zëvendësuar si duhet, kemi punuar shumë për këtë së bashku me ekipin. Jam kujdesur mirë nga të gjithë”, theksoi ai.
Sulmuesi i Kosovës mendon se Hoffenheimi ka kapacitet të ndeshet me çdo kundërshtar, por pranon se skuadra duhet ta mbajë nivelin e lojës për më shumë minuta gjatë sfidave.
“Kemi pasur momente të mira në çdo ndeshje, edhe në ato që i kemi humbur. Kjo të jep ndjesinë se mund të përballemi me çdo skuadër. Tani duhet të arrijmë ta tregojmë këtë për një kohë më të gjatë, idealisht gjatë të gjitha 90 minutave”, shtoi Asllani.
Dueli me Lyonin është një tjetër rast për Hoffenheimin që të vërtetojë përmirësimin e formës. Asllani shpreson që skuadra të japë një paraqitje të mirë dhe të sigurojë tri pikët, ndërsa synon të vijojë me performanca pozitive pas një vere që rrezikoi t’ia vështirësonte rrugëtimin në karrierë.




