Shteti ishte i njoftuar për dhunën e Sokol Halilit ndaj gruas së tij. Hamide Magashi e kishte lajmëruar atë për torturat që po ia bënte. Shteti e dinte se ai po mbante armë pa leje. Por, pa asnjë pengesë, Sokol Halili, shkoi dje në Gjinekologji në Prishtinë, ku ish-gruaja do ta lindte fëmijën e tyre dhe kreu vrasjen e dyfishtë. Me po aq lehtësi ai u largua nga vendi i krimit. Askush nuk ka marrë përgjegjësi për rastin. Kryeministri dhe Ministrja e Drejtësisë i kanë bërë një përshkrim situatës, ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme ka reaguar tek sot.
Para se të vritej dje nga ish-burri i saj, Hamide Magashi, kishte kaluar nëpër rrugën që kalon pothuajse çdo grua që u vra viteve të fundit në Kosovë nga burrat. Prej muajsh, ajo e kishte denoncuar Sokol Halilin për dhunë dhe kanosje.
Të lidhura
None found
Vrasësi, edhe në këtë rast, nuk hasi në asnjë pengesë nga asnjë mekanizëm shtetëror, për ta kryer krimin në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar me një postim në Facebook rreth vrasjes, 21 orë pasi u bë publike se ajo kishte ndodhur. Ai tha se është tronditur dhe se ka kërkuar raport mbi rastin.
“…që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër”, ka shkruar ai.
Fatkeqësisht, historinë e tmerrshme të Hamide Magashin e mësuan të gjithë, por pasi ajo u vra.
Gjykata Themelore e Ferizajt dhe Prokuroria thonë se Policia e Kosovës e ka pasur detyrë ta zbatojë masën e urdhër-mbrojtjes, të lëshuar ndaj Sokol Halilit, që akuzohej për dhunë ndaj gruas së tij, të cilën e vrau dje.
Sveçla thotë se ka kërkuar të hetohet puna e policëve të përfshirë në trajtimin e këtij rasti.
“Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës.
Deri të enjten pasdite nuk ka asnjë shkarkim dhe asnjë dorëheqje.
Pas vrasjes, çështja më e komentuar ishte një shkrim i çuditshëm i Kryeministrit Albin Kurti i publikuar dje në Facebook.
Po raportohej se vrasja ishte kthyer brenda një institucioni publik dhe institucionet shtetërore ishin të njoftuara me dhunën e mëhershme të vrasësit ndaj viktimës. Kryeministri i vendit kishte provuar që t’i jepte një përshkrim letrar gjithë asaj që kishte ndodhur.
Reagimin që e kishte titulluar “dy engjëj në qiellin e pistë”, Kurti e përfundonte me mendimet që mund t’i ketë “armiku” për “dy shqiptarë më pak”.
Një përshkrim të ngjarjes dhe specifikisht të repartit të Gjinekologjisë ia ka bërë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë”, thuhej në postimin e Haxhiut.
Si erdhi burri dhunues deri te vrasja?
Autoritetet e drejtësisë kanë nxjerrë raporte lidhur me rastin e Hamide Magashit. Krerët institucionalë tanimë e kanë “historikun e rastit”, të cilin Sveçla tha se e ka kërkuar.
Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se me datë 20 korrik 2022, ka pranuar kallëzim penal kundër Sokol Halilit nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se ai ka kryer vepër penale “Dhuna në familje”.
Më 9 gusht, është intervistuar e dëmtuarën Hamide Magashi, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës.
Më 10 gusht të këtij viti, Sokol Halilit i ishte ngritur aktakuzë për kanosjen e Hamide Magashit.
Gjykata Themelore në Ferizaj më 13 shtator të këtij viti ka lëshuar aktvendimin për urdhër-mbrojtje. Prokuroria përmend se kompetent për zbatimin e urdhrit është Policia e Kosovës.
“Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”.
Nga Policia e Kosovës dhe nga Ministria e Brendshme akoma nuk është thënë asgjë rreth zbatimit të këtij urdhri.
Sipas ligjit, masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje si dhe vartësit të tij/saj dhe personave tjerë nëse është e nevojshme, mund t’i shqiptohet personit i cili ka kryer dhunë në familje, nëse ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.
Sokol Halilit i ishte shqiptuar kjo masë për gjashtë muaj.
Më 23 shtator, Halili, ishte shpallur fajtor për posedim të paautorizuar të armës. Siç njofton gjykata, ai i është shqiptuar dënim me gjobë.
Gazeta Express sot ka qëndruar te familja e gruas së vrarë dje në oborrin e QKUK-së. Siç thotë një nga motrat e viktimës, ajo priste të hynte në operim sot, më 1 dhjetor.
Familjarët janë shprehur të frikësuar se Sokol Halili, që është akoma në arrati, mund ta vrasë edhe dikë tjetër nga familja e tyre, pasi i kishte kërcënuar se do t’u hidhte “tri bomba” në shtëpinë e tyre në një fshat të Lipjanit. /Express
