Artistja ruse rrezikon të dënohet me 10 vite burg për vendosjen e tabelave kundër luftës në Ukrainë

Artistja ruse Alexandra Skotsilenko, e cila u arrestua me akuzën e ndryshimit të çmimeve në një supermarket me mesazhe kundër luftës në Ukrainë, rrezikon të dënohet me 10 vjet burg . Gjyqi i saj filloi sot, të enjten, në Shën Petersburg.

Disa media të pavarura ruse treguan foto të Skotsilenkos duke buzëqeshur gjerësisht teksa hynte në sallën e gjyqit, e prangosur dhe e shoqëruar nga dy oficerë policie, nën duartrokitjet e mbështetësve të saj.

32-vjeçarja ndiqet penalisht për “përhapje të informacionit të rremë” për ushtrinë ruse dhe nxitje të “urrejtjes politike”, vepër kjo e futur në kodin penal pas pushtimit të Ukrainës. Sipas aktakuzës, ajo ka ngjitur “letra që përmbajnë informacione qëllimisht të rreme” për çmimet e produkteve në një supermarket më 31 mars. Ajo u arrestua dhjetë ditë më vonë, më 11 prill, pasi u kontrollua shtëpia e saj.

Prokurori tha të enjten, sipas medias së pavarur Mediazona, se kartat përmbanin vlerësime të numrit të ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë në fillim të luftës, ose të civilëvë të vrarë në bombardimin e një teatri gjatë rrethimit të Mariupol.

Skotsilenko pranon se ajo vuri letrat, por mohon fajin e saj, duke siguruar se ato nuk përmbajnë informacion të rremë.

“Ku është krimi në “Stop Luftës”? pyeti ajo prokurorin, sipas medias së pavarur SOTA.

Mbështetësit e saj thonë se gjatë ndalimit ajo ka vuajtur probleme shëndetësore pasi nuk ka mundur të ndjekë dietën e vendosur në rastin e saj për shkak të intolerancës ndaj glutenit.

Që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, mijëra janë gjobitur dhe qindra njerëz janë dënuar me burg për kritikimin e pushtimit të Ukrainës. Dy disidentë moskovitë, Ilya Yashin dhe Alexei Gorinov, u dënuan së fundmi me 9 dhe 7 vjet burg, me akuzën e “përhapjes së informacionit të rremë” për ushtrinë ruse. Gjyqi i Skotsilenkos do të vazhdojë më 20 janar.


Shtuar 15.12.2022 16:40