Arta Marku emërohet prokurore e përkohshme në Prokurorinë e Gjykatës së Apelit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e kësaj të hëne ka caktuar përkohësisht Drejtues të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë, Fier, prokuroren Violeta Shkurta, ndërkohë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Lushnjës është caktuar Arben Dyla.

Gjithashtu, Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm të Arta Markut në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës.

Caktimet e përkohshme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë një afat prej tre muajsh.

Vendimi:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 29.03.2021, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line, në prani të të gjithë anëtarëve si dhe të përfaqësueseve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Duke iu përmbajtur rendit të ditës, Këshilli vendosi me shumicë votash, dy caktime të përkohshme në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe konkretisht: znj. Violeta Shkurta (caktohet përkohësisht) në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Fier; z. Arben Dyla (caktohet përkohësisht) në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Lushnje.

Gjithashtu, Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm të znj. Arta Marku në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë. Caktimet e përkohshme realizohen për një afat tre mujor. Ndërkohë, me propozim të Komisionit Për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi unanimisht që, z. Neritan Hoxha, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan, të transferohet përkohësisht (me pëlqimin e tij) pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Pogradec. Z. Hoxha do të ushtrojë detyrën si Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Pogradec, përkohësisht, nga data 01.04.2021 – 31.03.2022. Me datë 26.03.2021, Këshilli vendosi dhënien e një opinioni pozitiv për transferimin e përkohshëm të prokurores Dorina Bejko, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Gjithashtu, Këshilli vendosi me 11 vota pro, caktimin e përkohshëm të prokurorit Neritan Hoxha, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Pogradec, për një periudhë tremujore, duke filluar nga data 01.04.2021.

Pasi u njoh me ankesën e z. Dritan Marku, prokuror në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë (paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nëpërmjet kërkesës së regjistruar me datë 23.03.2021, kundër vendimit të Drejtuesit së Prokurorisë “Mbi zëvendësimin e prokurorit”, të datës 17.03.2021), Këshilli vendosi me 10 (dhjetë) vota pro dhe 1 (një) kundër (z. Tartar Bazaj), pranimin e ankimit të z. Dritan Marku në lidhje me Vendimin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë “Mbi zëvendësimin e prokurorit”, të datës 17.03.2021.

Këshilli vlerësoi se Drejtuesi i Prokurorisë mund të kërkojë zëvendësimin e prokurorit, kur ekzistojnë arsye serioze që lidhen me detyrën sipas ligjit. Këshilli vlerësoi se ky koncept mund të përdoret në situata të ndryshme, duke interpretuar ligjin, por në asnjë rast (ky koncept) nuk mund të përfshijë mënyrën e zgjidhjes së çështjes nga prokurori i procedimit penal. Këshilli gjykoi se arsyet serioze nuk mund të lidhen kurrsesi me mënyrën e zgjidhjes së çështjes konkrete, sepse kjo do të minonte një nga parimet më të rëndësishme mbi të cilën funksionon sot sistemi i prokurorisë, i cili është pavarësia e prokurorit. Për këto arsye, këshilli vendosi shfuqizimin e vendimit të Drejtuesit së Prokurorisë “Mbi zëvendësimin e prokurorit”, të datës 17.03.2021.+


Shtuar 29.03.2021 13:18