Një shtetas i arrestuar më parë për veprën penale “ngacmim seksual”, ka rënë përsëri në prangat e policisë për të njëjtën vepër penale. Kësaj rradhe shtetasi me iniciale R. O., ngacmonte dhe përndiqte një të mitur në Berat.
Rasti është bërë i ditur nga Prokuroria e Beratit me një njoftim zyrtar teksa thotë se ka qenë vetë i mituri i cili e ka denoncuar në polici personin që i shkonte pas. Gjithashtu bëhët me dije se djali ka pësuar dëmtime në dorë si pasojë e një mjeti prehës që ka patur me vete manjaku.
Në lidhje me këtë ngjarje ka folur dhe i ati i djalit të mitur teksa ka thënë se djali e ka telefonuar duke i thënë që ishte dikush që po e përndiqte. Ai thotë se ka dalë menjëherë nga shtëpia dhe ka shkuar në drejtim të djalit.
E gjithë kjo është e dokumentuar në polici dhe nga filmimet e kamerave në zonë.
Njoftimi i plotë:
Më 25.11.2024, shtetasi i mitur A.Gj., ka bërë kallëzim penal ndaj këtij personi, duke e denoncuar se e ka kapur dhe çjerrë nga dora, por më pas i është afruar babai dhe e ka larguar prej tij.
Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.712/2024 ndaj këtij shtetasi për ngacmim seksual ndaj një të mituri, u krye Akti i Ekspertimit Mjekoligjor nga ku rezultoi se i mituri ka dëmtime të shkaktuara me mjet të fortë mbrehtës. I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasi K.Gj, babai i të miturit, deklaroi se e ka telefonuar djali dhe i ka thënë po më ndjek një burrë dhe ai menjëherë ka dalë nga banesa dhe ka ikur në drejtim të djalit.
Nga ana e organit procedues u bë këqyrja e pamjeve filmike nga ku rezultoi se shtetasi A.Gj kthen kokën pas për të parë kush e ndjek dhe më pas shfaqet personi i identifikuar si shtetasi R.O., i cili e ndjek nga pas.
Nga analiza e provave shkresore të administruara, rezultoi se ka dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi R.O. ka kryer veprën penale të “Ngacmimi seksual” parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal.