Arrestohet bashkëpunëtori i plagosjes në Fier, gjendet makina e autorit: Çfarë u zbulua brenda saj

Policia vazhdon kërkimet për kapjen e autorit të plagosjes së djeshme në qytetin e Fierit, Altin Veizaj (më parë Nika).

Gjatë kontrolleve është gjetur makina tip “Toyota” me të cilën autori u largua nga vendi i ngjarjes.

Mësohet  se mjeti është gjetur në fshatin Patos dhe gjatë kontrollit në makinë është gjetur arma tip pistoletë më të cilën plagosi Dashamir Muçën.

Njoftimi i policisë:

Plagosi me armë zjarri një shtetas, pas një konflikti të çastit, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika të shumta kontrolli, në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim kapjen e tij.

Rreth orës 13:15, në lagjen “11 janari”, dyshohet se pas një konflikti të çastit, shtetasi A. N., 52 vjeç, ka plagosur me armë zjarri, shtetasin D. M., 50 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit A. N.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Kërkimet për kapjen e Veizajt vazhdojnë ende, ndërkohë Policia ka arritur të kapë dhe arrestojë 49-vjeçarin që ndihmoi autorin e plagosjes.

Njoftimi i Polcisë:

Ndihmoi autorin e plagosjes së ndodhur ditën e djeshme, të largohej nga vendi i ngjarjes, vihet në pranga 49-vjeçari.

Vijon puna për kapjen e 52-vjeçarit që plagosi me armë zjarri një shtetas, në lagjen “11 janari”, Fier.

Sekuestrohen automjeti me të cilin u largua autori, një armë zjarri pistoletë, një pistoletë paralizuese dhe municion luftarak.

Në vijim të veprimeve për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen “11 janari”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi D. M., 50 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin B. H., 49 vjeç, banues në Mallakastër, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas ka ndihmuar autorin e ngjarjes, shtetasin A. N. alias M. V., 52 vjeç, të largohej nga vendi i ngjarjes.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti me të cilin është larguar autori, brenda të cilit u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 1 krehër, 12 fishekë dhe 1 pistoletë paralizuese.

Vijon puna intensive për kapjen dhe ndalimin e 52-vjeçarit.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com

 


Shtuar 14.01.2023 12:23