Arrestohen tre të rinj iranianë, tentuan të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara

Policia kufitare e Qafë Thanës ka arrestuar tre iranianë me banim në Turqi, pasi tentuan të kalonin kufirin me dokumente false.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, konkretisht atë të kalimit të kufirit me dokumente të falsifikuara, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. T., 24 vjeç, M. N., 25 vjeç dhe A. N., 25 vjeç, banues në Stamboll, Turqi.

Policia bën me dije se të tre të rinjtë janë paraqitur në hyrje të Republikës së Shqipërisë, me dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thotë policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Shtuar 29.03.2021 12:03