Arrestohen punonjësit e postës private në Tiranë, sekuestrohen 15 mijë euro mallra të kontrabanduara

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Sektori i Forcës së Posaçme Operacionale ka finalizuar operacionin policor të koduar “Delivery 2”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.

Dy punonjës të një poste private që magazinonte dhe shpërndante mallra të kontrabanduara janë vënë në pranga.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve Xh. Z., 28 vjeç dhe F. B., 28 vjeç, banues në Tiranë, punonjës të një poste private. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. S., 30 vjeç, banues në Tiranë, administrator i kësaj poste.

Në rrugën “5 Maji”, gjatë kontrollit të magazinave të postës private me administrator shtetasin L. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 204 pako me mallra të ndryshme, pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e mallrave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 19.09.2023 13:20