Arrestimi i Veliajt/ Bamir Topi: T’ia lëmë drejtësisë, institucionet të bëjnë punën që iu takon

Ish-Presidenti Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke u shprehur se beson në ndarjen e pushteteve dhe në respektimin e procesit gjyqësor.

“Kur janë çështje të drejtësisë, e kam të vështirë të interferoj sepse nuk kam fakte. Jam i vetëdijshëm për ndarjen e pushteteve që duhet të funksionojë. Ka një vendim të SPAK, por ka edhe një gjykatë.

Çështja është në proces dhe ka një mbrojtje ligjore që duhet të mbrojë të akuzuarin”, deklaroi Topi.

Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për ndikimin e kësaj çështjeje në jetën private dhe familjare të Veliajt. “Kur çështja prek gjithë situatën familjare, nuk më vjen mirë fare. Politika është politikë, por nuk mund të ndajmë veten nga marrëdhëniet njerëzore”, tha ai.

Në fund, ish-presidenti theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë dhe transparent, duke uruar që gjithçka të përfundojë në përputhje me ligjin. “Uroj që gjithçka të shkojë mirë për familjen Veliaj, që të vendoset drejtësia dhe të ketë drejtësi”, përfundoi ai.


Shtuar 22.02.2025 17:50