Armë zjarri e fishekë, arrestohet i “forti” i Fushë-Krujës teksa udhëtonte me taksi në Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar një 21 vjeçar pasi kishte të dhëna se mbante armë të ftohta me vete. Mësohet se i riu është Emiljan Uka banues në Fushë Krujë dhe u arrestua teksa lëvizte me një taksi.

“Pas marrjes së informacionit se ky shtetas lëvizte me armë zjarri me vete, kanë ndaluar mjetin taksi me të cilin ky shtetas po lëvizte dhe gjatë kontrollit në çantën e dorës, këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri dhe 8 fishekë”, tha Policia.

Ndërkaq, strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë po vijojnë kontrollet në territor, në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët dhe ish-reparte ushtarake, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

“Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Bushanesh, Njësia Administrative Thumanë, Bashkia Krujë, në një ambient të hapur u gjetën dhe u asgjësuan fidanë cannabis sativa. Gjithashtu, në vijim të kontrollit, në një distancë të afërt u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik. Në vijim të veprimeve është bërë shpallja në kërkim policor e një shtetasi të dyshuar si autor, por për arsye hetimi nuk bëhen me dije gjeneralitetet e tij”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Shtuar 25.06.2021 12:12