ANALIZË/ Cilat do të ishin pasojat nëse Maqedonia nuk merr datë as në samitin e qershorit?

Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, është pozicionuar në drejtim të anëtarësimit në BE si veprim strategjik i domosdoshëm për zhvillim të shtetit.

Pra, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka filluar menjëherë pas pavarësimit, ndërsa zyrtarisht më 17 dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropës vendosi që Republikës së Maqedonisë, atëherë, ndërsa sot RMV-së, t’i jepet statusi shtet kandidat për anëtarësim në BE. Më 17 dhjetor të po këtij viti, 2022, RMV mbush plot 17 vite po me të njëjtin status vetëm shtet kandidat, pa marrë datën për fillim të negociatave, shkruan Zhurnal.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e së njëjtës Evropë si Bashkimi Evropian. BE-ja nuk është e plotë pa to. Komisioni im do të bëjë të pamundurën për të çuar përpara procesin e aderimit. Por Komisioni i BE-së është i paralizuar nga shtetet e tij anëtare, të cilët të gjithë kanë opsionin e vetos nëse do të lejonin të kalojë ndonjë prej anëtarëve të rinj”, ka thënë presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

BE-ja mbetet partneri dhe investitori kryesor tregtar i rajonit. Është gjithashtu BE-ja ajo që siguroi pjesën më të madhe të ndihmës për menaxhimin e situatës me virusin korona dhe tani po financon rimëkëmbjen pas pandemisë, si dhe tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital. Prandaj, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm dëshirë, por është nevojë e domosdoshme, sepse ndikon në krijimin e një stabiliteti ekonomiko-politik.

Gjasat për të marr datën për fillim të negociatave janë shumë të pakta, për mos të thënë se nuk shpresohet fare, kjo është bërë e ditur edhe nga deklarata e kryeministrit Kovaçevski, përgjatë qëndrimit të tij në Bruksel në Samitin e NATO-s, i cili tha se nuk e ka përmendur qershorin kurrë dhe nuk e lidh veten me data.

“Unë nuk e kam përmendur kurrë qershorin dhe nuk e lidh veten me data, pasi duhet të kemi një zgjidhje që të bazohet së pari në vlerat evropiane dhe së dyti që të arrihet përmes komunikimit, bazuar në parimin e respektit të ndërsjellë”, ka thënë Dimitar Kovaçevski.

Poashtu edhe deklarata e ambasadores amerikane në Shkup, Kejt Bërnz në konferencën para gjykatësve tha se qytetarët e Maqedonisë nuk kanë besim në gjyqësor. Ajo iu referua një sondazhi të fundit të Eurohtink se vetëm 8% e qytetarëve i besojnë gjyqësorit dhe për të rikthyer besimin, qytetarët duhet të shohin se sistemi funksionon.

Kjo tregon se Maqedonisë së Veriut ende i duhet kohë dhe punë për reforma të brendshme, për tu bërë pjesë e familjes evropiane, pasi që shtylla kryesore e demokracisë është drejtësia.

Këto janë dëshmi se samiti i qershorit, do të kalojë edhe si shumë samite të tjera paraprakisht pa pasur ndonjë ndryshim pozitiv në raport me Maqedoninë e Veriut, për marrjen e datës për fillim të negociatave, shkruan Zhurnal.

Mirëpo, dështimi për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor mund ta shtyjë Ballkanin në krahët e lojtarëve të tjerë si Kina dhe Rusia. Dy të fundit do të shtojnë përpjekjet e tyre për të plotësuar boshllëqet në këtë rajon.

Pra, si shqetësim serioz është edhe fakti për rritjen e euro-skepticizmit në vend, ku në bazë të hulumtimeve thuhet se në Maqedoninë e Veriut është rritur ndikimi rus dhe ai kinez.

Pasoja tjera nëse Maqedonia e Veriut nuk do ta merr datën për fillim të negociatave, do të shfaqen sidomos në sferën ekonomike duke e ngadalësuar zhvillimin e shtetit, dhe duke ngritur pesimizmin e qytetarëve. Me çka eksodi i të rinjve do të rritet edhe më shumë, duke kuruar dëshprimin nga pritjet e gjata për ndryshim të gjendjes së rënduar.

Ndërkaq, shtyerja e datës për fillim të negociatave pikërisht në këtë kohë të krizës globale për të krijuar paqe në Ukrainë nga invazioni Rus, është sinjal negativ pikërisht për shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke lejuar që i tërë rajoni të jetë i pa unifikuar, dhe i rrezikuar për shtrirjen e ndikimeve të huaja.

Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti bullgar.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në./Zhurnal.mk


Shtuar 29.03.2022 09:47