Ambasada e SHBA: Demokracia duhet t’i shërbejë shumicës, jo pak njerëzve

Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri ka ndarë në Facebook një mesazh të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Në mesazhin e Blinken thuhet se Shtetet e Bashkuara vendosin demokracinë dhe të drejtat e njeriut në qendër të politikës së tyrë, dhe se demokracia i shërben shumicës, jo pak njerëzve.

“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, ne nënvizojmë mbështetjen tonë për demokracinë ndërsa përpiqemi drejt një bote më të barabartë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara vendosin demokracinë dhe të drejtat e njeriut në qendër të politikës sonë të jashtme; ato janë elemente thelbësore në arritjen dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në të gjithë botën. Angazhimi ynë është i fortë dhe i bazuar në përvojën tonë si një demokraci – e papërsosur, por në përpjekje të vazhdueshme për një bashkësi më të përsosur. Ne e dimë se shoqëritë e lira dhe demokratike kanë qytetarë më të shëndetshëm, konflikte më pak të dhunshme dhe komunitete më të begata. Në fakt, demokracia i shërben shumicës, jo pak njerëzve”, thuhet në mesazh./albeu.com


Shtuar 15.09.2021 09:13