Alibeaj: Burgu i Spaçit dhe Kampi i Tepelenës të kthehen në muze kombëtarë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, përmes një postimi në Facebook shkruan se kanë depozituar dje një projektligj  për shndërrimin në muze Kombëtar të Burgut të Spaçit dhe Kampit të Tepelenës.

Sipas Alibeajt, ato duhet të kthehen në kujtesë ndërgjegjësuese për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Postimi i Alibeajt:

BURGU I SPAÇIT DHE KAMPI I TEPELENËS TË SHNDËRROHEN NË MUZE KOMBËTARË

Partia Demokratike ka depozituar dje një projektligj për shndërrimin në muze Kombëtar të Burgut të Spaçit dhe Kampit të Tepelenës.

Memoria historike për një vend që për gati 50 vite u rrënua nga diktatura komuniste shtron si domosdoshmëri që e shkuara e hidhur jo vetëm të njihet nga brezat e rinj, por dhe të shndërrohet në kujtesë ndërgjegjësuese për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Partia Demokratike ka në gjenezën e saj atë pjesë të shoqërisë që gjatë viteve të komunizmit u vra, u syrgjynos, u burgos dhe u persekutua në burgjet e kampet më të egra të Europës. Këto 30 vite kanë qenë tregues i qartë se veç asaj që është bërë për të këtë shtresë ka ende shumë kontribute për të dhënë që nga e djeshmja e errët të nxirren mësime për të sotmen dhe të ardhmen.

Këtij qëllimi i shërben dhe projektligji i depozituar dje. Si shërbim ndaj memories historike të Shqipërisë dhe si një respekt ndaj mijra qytetarëve dhe pasardhësve të tyre që vuajtën terrorin e regjimit komunist./albeu.com