Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon me intensitet inspektimet në tregje dhe markete të ndryshme të vendit. Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së, Jeta Deda, e cila ndjek nga afër një pjesë të inspektimeve në terren, mori informacion nga drejtues të rrjeteve të marketeve mbi efikasitetin dhe inspektimet e AKU-së që nga fundi i janarit e deri më sot.
“Ne kemi nxjerrë një urdhër për shtimin e kontrolleve dhe monitorimin më të thelluar gjatë periudhës së fundit të janarit dhe e kemi shtrirë dei tani, që kur kjo sëmundje filloi të shfaqej në vendet e BE-së. Kemi qenë rigorozë për ndjekjen e gjurmueshmërisë për këto produkte shpendore”, tha Jeta Deda.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit monitoron dhe inspekton të gjithë territorin e vendit në kuadër të garantimit të shëndetit të konsumatorit, parandalimin e praktikave abuzive në tregtimin e vezëve të pavulosura e me mungesë gjurmueshmërie dhe mishit të pulës pa dokumentacion të rregullt veterinar nga thertorja e pa certifikatë veterinare.
Po kryhen kontrollet në të gjithë drejtoritë rajonale në pikat e tregtimit, magazinat, tregjet, marketet e supermarketet, stabilimentet e prodhimit të vezëve e përpunimit të mishit të shpendëve.
Drejtoresha e AKU-së u bëri thirrje shtetasve se produktet e kontrolluara janë të sigurta dhe kërkoi konsumatorëve bashkëpunim që të denoncojnë çdo abuzim.