Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka cilësuar skandal platformën e PS-së, “Aktivisti”.
Meta deklaroi sot se përdorimi antikushtetues i shtetit për qëllime tërësisht elektorale nga ana e Kryeministrit është një dëshmi serioze dhe skandaloze e degradimit, e kompromentimit dhe e shkallmimit të reformës dhe meritokracisë në administratën publike.
Në një dalje për mediet, ai bëri thirrje për hetim.
Meta: Një vit pas skandalit të patronazhistëve, vjedhjes së të dhënave personale nga Regjistri Publik Shtetëror dhe keqpërdorimi i tyre në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit, duke u përdorur si mjet shantazhi, intimidimi dhe presioni për të siguruar votën dhe mbështetjen, një tjetër skandal ka shpërthyer me të ashtuquajturin aplikacioni “Aktivisti” në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Mijëra punonjës të administratës publike, në shkelje të Kushtetutës e të ligjeve, si dhe në dhunim flagrant të lirive dhe të drejtave të tyre, janë detyruar nëpërmjet presioneve dhe shantazhit të bëhen pjesë e këtij aplikacioni që monitoron like-t, komentet dhe share në rrjetet sociale të postimeve të Edi Ramës dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë.
Ai shton se skandali zgjerohet edhe më tej me zbulimin e përdoruesve të platformës ku përfshien prokurorë, gjyqtarë dhe anëtarë të KLP, KLGJ, SPAK dhe të institucioneve të tjera kyçe të reformës në drejtësi.
Meta: Skandali bëhet edhe më i madh kur zbulohen se pjesë e listës së aplikacionit janë të paktën 40 prokurorë dhe 27 gjyqtarë, anëtarë të KLP, KLGJ, SPAK dhe të institucioneve të tjera kyçe të reformës në drejtësi, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit në Tiranë dhe qarqe, mjekë, infermierë dhe mësues, punonjës të tatimeve, doganave etj. Keqpërdorimi i punonjësve të administratës publike dhe institucioneve më të larta të drejtësisë në funksion të propagandës së gënjeshtërt të “Rilindjes” dhe të zgjedhjeve vendore të 14 majit, nëpërmjet shantazhit, intimidimit dhe presionit, meriton një hetim të thellë dhe të gjithanshëm.
Ai i bëri thirrjes “drejtësisë të zbardhë plotësisht të vërtetën, autorët dhe urdhëruesit e këtij skandali, që përbën jo vetëm veprimtari të ndaluar nga neni 91 i Kodit Zgjedhor, por përmban elemente të disa veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal, duke filluar nga shpërdorimi i detyrës (neni 248 i Kodit Penal) i konsumuar nga funksionarët, deri te ‘Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore’, parashikuar nga neni 328/a, i Kodit Penal”.