Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku gjatë konferencës për mediet lidhur me aksionin e përbashkët me policinë spanjolle kundër calla centerave tha se ishte një punë hetimore e gjatë e përmbyllur me sukses. Ai paralajmëroi krijimin e një strukture të posaçme në policinë kriminale për krimet kompjuterike. Sfida e policisë së Shtetit është çmontimi i krimit të krijuar mbi bazat inteligjente.
“Kraja na ka mundësuar të gjitha facilitetet për të arritur rezultate konkrete sikurse është dhe ky operacion. Është krijuar një terren i zakonshëm që krimi, kryesisht ai mbi baza inteligjente të gjejë shtrirje në gjithë botën. Policia e Shtetit është në sfidë për ta çmontuar atë. Jemi duke punuar për të rialokuar burimet tona njerëzore si dhe të përshtatim strukturat në këtë adresim të ri. i kemi vënë vetes objektiv që fillimi i vitit që vjen të na gjejë me një strukturë të dedikuar hetimore. Situata e fundit me sulmet kibernetike na ka imponuar që krimin kibernetik ta trajtojmë si prioritet. Do të shumëfishojmë kapacitetet njerëzore. Nga ana tjetër kemi filluar një përzgjedhje të personave të trajnuar posaçërisht”, tha Rrumbullaku.