Ditën e djeshme Policia zhvilloi një aksion anti-drogë në zonën e “Varrit të Bamit” në Tiranë. Në këtë operacion u arrestuan 5 persona dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Ata akuzohen për shpërdarje të drograve të forta.
Policia ka dhënë detaje më të hollësishme nga arrestimet dhe sekuestrimi i 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në bazë të informacioneve të marra se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë në zonën e Xhamllikut, kanë zhvilluar operacionin e koduar “Xhamlliku”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Gentian Kore, 47 vjeç, Taulant Çoka, 34 vjeç, Altin Gega, 28 vjeç dhe Erjon Prengaj, 32 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi E(E). P(S)., 33 vjeç, i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarje. Vijon puna intensive për kapjen e tij.
Shtetasit e lartpërmendur janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Kujtim Laro”, në biznesin e shtetasit G. K., ku dyshohet se kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Të katërt këta shtetas, sapo kanë parë shërbimet e Policisë kanë tentuar të largohen me vrap, por janë neutralizuar dhe prangosur nga Policia. Gjatë largimit, ata kanë fshehur lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, i shtetasit Gazmir Cani, 26 vjeç, pasi ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për të ndaluar për verifikim e tij dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore , për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve G. K., T. Ç., A. G. dhe E. P., dhe për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në ngarkim të shtetasit G. C”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se dje ky operacion mori shumë vëmendje në media, pasi efektivët e policisë nuk arritën të ndalonin një trafikant, i cili u largua me makinë. Më pas, policia u kthye nga gazetarët që ishin aty, duke shtrirë në tokë njërin prej tyre dhe duke i cilësuar ata si “bashkëpunëtorë” me trafikantët dhe pengues të operacionit. Videoja u bë virale në rrjet./albeu.com