Shqiptari humbi kontrollin e makinës dhe kaloi në anën e kundërt e më pas tërhoqi zvarrë Emën 21-vjeçaren greke në rrugën Egnatia në Selanik. Kështu deklaron avokati i familjes, Nikos Roussopoulos, duke mohuar atë që shoferi 26-vjeçar pretendon në lidhje me rrethanat e aksidentit.
Shqiptari i cili më 22 nëntor goditi dhe la 21-vjeçaren të gjakosur në tokë, pretendon që në momentin e parë se nuk ka qenë duke shpejtuar me makinë e se vajza “u hodh” papritur para tij, duke mos i dhënë më shumë kohë atij të reagonte për ta shmangur. Megjithatë, sipas asaj që raporton Roussopoulos të gjitha përgënjeshtrohen nga autoritetet dhe nga dëshmitarët.
“Nga plani i qarkullimit rezulton se drejtuesi shqiptar kishte humbur kontrollin e makinës, mjeti kishte rrëshqitur para se të godiste vajzën, ka kaluar në drejtim të kundërt të rrugës Egnatia dhe e ka tërhequr zvarrë. Skema e Trafikut, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme, është shumë e qartë. Ai ka humbur kontrollin, ndoshta për shkak të shpejtësisë , ka hyrë në përroin e kundërt dhe ka goditur vajzën aty”, thotë avokati i familjes.
Ai gjithashtu thekson se nëse i akuzuari nuk do të kishte devijuar kursin e tij dhe nuk do të kishte kaluar në anën e kundërt, atëherë nuk do ta kishte goditur 21-vjeçaren, pasi studentja kishte arritur të kalonte gjysmën e rrugës.. “Pretendimi i tij se vajza u hodh papritur para tij rrëzohet. Në fakt, e “djeg” edhe i bashkëakuzuari, i cili në kërkim të faljes shprehet se shoferi ka humbur kontrollin para se të godiste viktimën”, shton ai.
Sipas Roussopoulos, 26-vjeçari mund të mohojë se ka goditur për herë të dytë studenten e re me makinën e tij, pasi e kishte tërhequr zvarrë, por një dëshmitar okular i ngjarjes ka dëshmuar zyrtarisht pranë autoriteteve se shqiptari u rikthye sërish.
Shqiptari po ndiqet penalisht për veprën penale të drejtimit të automjetit të rrezikshëm me pasojë vdekjen. Vepra penale dënohet me burgim deri në 15 vjet.
Po ashtu, një tjetër detaj tronditës është zbuluar. Në çantën e viktimës ishin 1500 euro, të cilat janë grabitur.
Denoncimin e pabesueshëm për vjedhjen e konfirmon në protothema.gr avokati i familjes, duke theksuar se do të bëhet një dosje e veçantë, ndërkohë që po hetohet nga Policia greke. “Tashmë është dhënë një urdhër nga prokuroria për të nisur hetimet për këtë ngjarje të veçantë”, thotë ai.
Shuma e madhe e parave nuk u gjet as në çantën e vajzës dhe as në rrobat që kishte veshur në orët e para të së martës.
Studentja, u kishte përmendur një herë prindërve të saj, se kur të ndërronte jetë do të dëshironte të dhuronte organet e saj për të ndihmuar njerëzit e saj. Dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Familjes së Emmanuelës, pavarësisht zisë së rëndë, nuk iu desh shumë kohë për të marrë vendimin e rëndësishëm dhe për t’i dhënë “dritën jeshile” mjekëve për të nisur procedurat e marrjes së organeve dhe transplantet që do të ndiqnin.
Zemra e vajzës “rreh” në trupin e një të reje rreth 40 vjeçe dhe nënë e një fëmije. Sipas informacioneve, veshka e dytë e 21-vjeçares do të transferohet në Athinë për transplantim, ndërsa, korneat janë hequr nga okulistët e spitalit Papageorgiou dhe do të transferohen në spitalin ACHEPA./Burimi: Protothema.gr