Mëngjesin e kësaj të diele, një aksident rrugor është regjistruar në aksin Lushnje–Berat, në afërsi të fshatit Stan-Karbunarë, ku një motoçikletë është përplasur me një automjet tip “Opel”.
Si pasojë e përplasjes, ka mbetur i lënduar drejtuesi i motoçikletës, i cili është transportuar në gjendje të rëndë drejt spitalit të Lushnjes.
Sipas burimeve paraprake, ai ka pësuar fraktura në këmbë dhe në kokë.
Në vendngjarje ka mbërritur policia rrugore, ndërsa pritet edhe grupi hetimor për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Nga të dhënat e para, dyshohet se motoçikleta ka tentuar të kryejë manovër për t’u futur në një pikë karburanti, moment në të cilin është përplasur me automjetin.
Aksi i vjetër rrugor Lushnje-Berat, është kryesisht i frekuentuar nga banorët e zonës dhe nuk paraqet trafik të rënduar, pasi pjesa më e madhe e qarkullimit devijohet në aksin e ri, i cili nuk kalon brenda fshatrave.
