Eugert Lazaj, 37 vjeç u gjet i vdekur brenda ambienteve të vilës së tij luksoze në Lundër në korrik të 2020, ndërkohë që misteri vazhdon ta ndjekë këtë ngjarje të rëndë.
Fillimisht u dyshua për vetëvrasje, por hetimi nuk ka mbaruar ende pasi Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim penal ndaj ekspertëve që përpiluan aktet balistike të pistoletës, me të cilën biznesmeni 37-vjeçar Eugert Lazaj u vetëvra.
Kjo pasi ekspertët kanë dalë në konkluzione tërësisht të kundërta. Në njërin akt, thuhet se plumbi është qitur nga pistoleta e sekuestruar pranë trupit të pajetë të pronarit të kompleksit “Adorions”, ndërsa në tjetrin që nuk ishte shtënë nga e njëjta armë.
Për këtë shkak, prokurorët të cilët hetuan rastin kanë dyshime se njëri nga aktet është falsifikuar, ndaj hapën një çështje penale për të përcaktuar arsyet. /albeu.com/