Abuzuan me tenderin e autoshkallës, arrestohen 6 zyrtarë të Bashkisë së Durrësit dhe 2 punonjës të kompanive private

Me urdhër të SPAK janë arrestuar 6 zyrtarë dhe 2 punonjës të kompanive private janë arrestuar pasi kanë abuzuar me një tender në Bashkinë e Durrësit.

Abuzuan me tenderin 7 milion lekë në maj-qershor 2020 për blerjen e një zjarrfikëse autoshkallë.

Në pranga kanë përfunduar zyrtarë e Bashkisë Durrës Adriatik Velaj, Muhamet Likazhiu dhe Artan Taho të cilët akuzohen për shpërdorim detyre cilësinë e  anëtarit të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës.

Janë arrestuar edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Kastriot Beqaraj, Gjergj Markola, Indrit Matmuja të akuzuar për ‘Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’ kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu në pranga ka rënë Albion Bushi, Elona Rami, Lulzime Rami dhe Riza Sulaj, administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., kanë konsumuar veprën penale të  “Falsifikimit të dokumenteve”  duke dorëzuar dokumente të falsifikuara në kuadër të kësaj procedure prokurimi për të fituar tenderin për blerjen e një zjarrfikëse që është jahstë funksionit.

Nën hetim nga SPAK janë edhe shoqëritë private që u përfshinë në tender R & R Group sh.p.k., Klosi – R Company sh.p.k. dhe Ra – Mi Kompani sh.p.k. pasi akuzohen për falsifikim dokumentesh përsa i përket procedurave të tjera të prokurimit ku këto subjekte kanë qenë pjesëmarrëse.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pasi ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 25 të vitit 2021, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme, të cilat krijojnë dyshimin  e arsyeshëm, se:

Në procedurën e prokurimit me REF-57495-05-06-2020, të zhvilluar nga Bashkia Durrës, në periudhën maj – qershor 2020, me vlerë të fondit limit prej 7 083 000 lekë (pa TVSH), janë evidentuar shkelje ligjore, te kryera nga shtetasit A.V., M.L. dhe A.T., me cilësinë e  anëtarit të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës, të cilat formojnë elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal dhe nga shtetasit P.B., Gj.M., I.M., me cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pranë Bashkisë Durrës, të cilat formojnë elementët e veprës penale të ‘Shkeljes së barazisë së pjesmarrësve në tendera apo ankande publike’ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i K.Penal.

Gjithashtu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, shtetasit A.B., E.R., L.R. dhe R.S., administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., kanë konsumuar veprën penale të  “Falsifikimit të dokumentave” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi i dytë i K.Penal, duke dorëzuar dokumenta të falsifikuara në kuadër të kësaj procedure prokurimi.

Janë regjistruar si persona nën hetim, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”, parashikuar nga neni 186 i K. Penal edhe shoqëritë R & R Group sh.p.k., Klosi – R Company sh.p.k. dhe Ra – Mi Kompani sh.p.k., subjekte për të cilat vijojnë hetimet, përsa i përket procedurave të tjera të prokurimit ku këto subjekte kanë qenë pjesmarrëse.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr. 90 akti datë 28.10.2021, ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasit: P.B., Gj.M., I.M., A.V., M.L., A.T., R.S., A.B.

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” për shtetasen L.R. dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasen E.R.

Ekzekutimi i masave të sigurimit nga policia gjyqësore pranë Drejtorisë Hetimore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, u bë i mundur sot më datë 29.10.2021./albeu.com

 


Shtuar 29.10.2021 08:55

Tags: ,