Komisioni Evropian ka hedhur për diskutim idenë e krijimit të një tregu të përbashkët për nëntë shtete që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, mes tyre edhe Shqipëria. Propozimi është pjesë e një dokumenti për rishikimin e politikës së zgjerimit, i cili pritet të miratohet ose të publikohet më 6 tetor, pas mbledhjes njëjavore të Kolegjiumit të Komisionit Evropian në Strasburg.
Ky treg për vendet kandidate cilësohet në dokument si “instrumenti më i fuqishëm i bllokut për nxitjen e prosperitetit dhe konvergjencës ekonomike”.
Të lidhura
None found
Deri tani, përfitimi i plotë nga tregu i brendshëm evropian, ku mallrat, shërbimet, njerëzit dhe kapitali lëvizin lirshëm, ka qenë i mundur vetëm pas anëtarësimit zyrtar në BE. Megjithatë, zbatimi i këtyre propozimeve, ose i një pjese të tyre, do të kërkojë miratimin formal dhe pajtueshmërinë e të gjitha vendeve anëtare të unionit.
Dokumenti pritet të përdoret si pikënisje për bisedimet strategjike të liderëve evropianë në samitin e 15 dhe 16 tetorit në Bruksel, takim që do t’i kushtohet zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Në listën e vendeve kandidate bëjnë pjesë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Turqia, Moldavia dhe Ukraina. Përfshirja në tregun e përbashkët nuk do të jetë automatike, pasi do të kushtëzohet nga përparimi i matshëm i secilit shtet në zbatimin e reformave.
“Përparimi i krahasueshëm duhet të çojë në mundësi të krahasueshme”, thuhet në draftin e përgatitur nga Komisioni Evropian.
Sipas dokumentit, instrumentet që ekzistojnë aktualisht do të shtriheshin në mënyrë graduale, në varësi të nivelit të gatishmërisë reale të secilit vend. Propozimi përfshin edhe masa mbrojtëse për të parandaluar “ngecjen” e reformave, çka nënkupton se një qasje e siguruar më parë në treg nuk do të jetë domosdoshmërisht e përhershme.
