Situata në Partinë Demokratike dhe opozita, ishte një nga pikat që u diskutuan në studion e “Log.” në Abc të gazetarit Endri Xhafo, ku të ftuar ishin analistët Neritan Alibali, Mentor Nazarko dhe Agim Baçi, si dhe avokati Plarent Ndreca.
Të pyetur nga moderatori Xhafo, se si i shohin primaret në PD dhe a janë ato risi, avokati Ndreca tha se janë po aq risi sa Sali Berisha në politikë.
Sipas Ndrecës problemet e opozitës nuk kanë filluar sot por që në vitin 2013-të, dhe prej asaj kohe nuk diti të ringrihet.
Ndërkohë Baçi theksoi se që të bësh primare në radhë të parë duhet të demokratizosh partinë nga brenda dhe më pas të synosh ta bësh atë me aleatët.
Pjesë nga Biseda:
Xhafo: Çfarë mendoni për primaret në PD:
Ndreca: Është risi për politikën shqiptare aq sa është risi Sali Berisha. Kjo krizë në opozitën shqiptare ka filluar që në 2013-n, në momentin që mori atë ndëshkim nga shqiptarët. Nuk arriti të bënte atë që çdo opozitë serioze bën, që është rrotacioni politik. Erdhi zoti Basha, por ai ishte një mashë në duart e zotit Berisha, pavarësisht veprimit të fundit, kur përjashtoi nga grupi parlamentar zotin Berisha.
Xhafo: Ju do fitoni prapë 61 bashki?
Ndreca: Aq sa na japin shqiptarët mundësinë për të fituar. Sa kohë që nuk ka një opozitë reale, një opozitë serioze patjetër që shqiptarët sytë në ballë i kanë dhe dinë ta bëjnë dallimin. Patjetër që ne në tavolinë jemi më të favorizuar. Nëse do të kishte një opozitë reale, rrotacioni i pushtetit do të ishte më i afërt. Për sa kohë nuk ka një forcë politike shpatullat për të mbajtur fatet e këtij vendi, shumë i vështirë rrotacioni.
Xhafo: Këtë që thotë zoti Ndreca e ka thënë edhe Veliaj në studio?
Alibali: Është e njëjta shprehja që është thënë nga pushteti i PD në vitet 2005-2013-të, një opozitë joreale, mendoj se do vazhdojë ky lloj rotacioni me sigurinë që forca në pushtet e konsideron opozitën si një forcë që nuk mund të vijë në pushtet.
Xhafo: Primaret janë risi?
Alibali: Primaret janë risi, por nuk do ta zgjidhin çështjen. Primaret e përcaktojnë opozitën si parti e lider opozitës. Edhe pse duket se ka një koalicion mes PD dhe PL, zyrtarisht nuk do të ketë koalicion. Deklarata e Metës që thotë kam interes për këshillat bashkiakë tregon që nuk është gati
Ndreca: Çfarë mendoni për primaret?
Alibali: Marrëdhënia mes Berishës dhe Metës nuk është marrëdhënie dashurie, por interesi. Koalicioni PD-LSI në 2009-2013-të ka qenë me kërcitje. Unë shtroj një pyetje që vërtetë Meta mund t’i bëjë thirrje elektoratit të vet që të votojnë për kandidatët në primare, por a do jenë të prirur ata të votojnë një kandidat që nuk është i partisë së tyre? Meta me një prerje të shpatës përcaktoi se nuk del në konkurrim me kandidat por me Këshilla. PD ka problemet e veta, dhe këto zgjedhje për dy anët e PD janë një provë gjeneralë për zgjedhjet vitit 2025-s. Dje unë kam thënë në Abc se grupi i Alibeajt është e pamundur që mos dalë me kandidatë.
Xhafo: Baçi mendimi juaj për primaret?
Baçi: Primaret në demokracitë europiane janë futur me vonesë, por në Shqipëri janë paradoksale, pasi duhet të kesh rregulluar demokracinë e brendshme pastaj primaret. Më duket një shpikje që Berisha të gjejë një zgjidhje për një aleancë sa më të madhe.