Të tjera detaje kanë dalë pas zhdukjes së të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj.
Teksa ende nuk dihet fati i tij, ajo ç’ka dihet është se Jeton Lami, një efektiv i Forcave Operacionale, që në fakt duhet të kapë të shumëkërkuarit, e ka ndihmuar “bosin e lojërave” të fatit duke e shoqëruar dhe shpëtuar nga kontrollet e policisë.
Çelësi i zbulimit të fatit të Martinajt duket të jetë pikërisht Jeton Lami, i cili sipas gazetarit Elton Qyno ka qendruar dy orë e gjysmë “kokë më kokë” me Gledis Nanon në zyrën e këtij të fundit para se të shkarkohej nga Policia e Shtetit.
Mësohet se Lami i ka treguar Nanos lidhjet e forta të Martinajt në Policinë e Shtetit, pagesat, personazhet që janë “ushtarë” të tij, por që mbajnë veshur uniform policie, etj.
Me të mësuar këtë, Nano i ka raportuar ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi. Kjo ka qenë edhe pika që ka derdhur “gotën e mbushur” tashmë të raporteve të tensionuara Nano-Çuçi duke çuar në shkarkimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit.
Ervis Martinaj njihej si personazhi që mpleksi fortë krimin me institucionet shtetërore, kryesisht policinë, duke mos bërë më dallimin se ku mbaron mafia dhe ku fillon shteti. Mësohet se Lami i ka dhënë Nanos emra të rendësishëm në Policinë e Shtetit që në fakt punonin për llogari të Ervis Martinajt, gjë që nëse zbulohen do të shkaktojnë një tërmet të madh në këtë strukturë./albeu.com/